Roma dhe Lazio “nderojnë” Italinë/ Dy skuadrat romane fituan sfidat e vajtjes në 1/8 e Europa League

schedule12:35 - 7 Mars, 2025

schedule 12:35 - 7 Mars, 2025

Me dy fitore thuajse identike në rezultat dhe mënyrë, Lazio dhe Roma kaluan me sukses sfidat e vajtjes në 1/8 e Ligës së Europës, duke ruajtir nderin e Serisë A në kontinent.

Skuadra e drejtuar nga Klaudio Ranieri mundi 2-1 Atletik Bilbao me një gol në kohën shtesë.

Injaki Ulliams kaloi baskët në epërsi në nisje të pjesës së dytë, por të zotët e shtëpisë reaguan fort dhe përmbysën shifrat.

Angelino barazoi rezultatin, ndërsa në minitën e 94-rt, Shomurodov shënoi golin e fitores për Romën, që merr edhe një avantazh për ndeshjen e kthimit.

Më dramatik ishte triumfi i Lacios, që kaloi 2-1 transfertën kundër Viktoria Plzen.

Fati i sfidës u vendos vetëm në minutën e tetë shtesë, kur lacialët ishin me nëntë lojtarë në fushën e lojës.

Romanjoli kaloi italianët në epërsi në pjesën e parë.

Pas pushimit, çekët barazuan rezultatin me Durosinmi, ndërsa kartonët e kuq të Rovela dhe Gigo ndërlikuan misionin e Lacio.

Përtej çdo parashikimi, miqtë shënuan në minutën e 98-të me Isaksen golin e fitores që I afron me kualifikimin në çerekfinalet e Europa Ligë.

Gjithçka e hapur mbetet në sfidën tjetër të madhe mes Sociedad dhe Manchester United, që u ndanë në barazim 1-1.

Zirkzi kaloi në epërsi anglezët në minutën e 57-të, por në të 70-ën, Oriazabal me 11 metërsh i hoqi fitoren nga duart “Djajve të Kuq”, që gjithsesi kanë avantazhin e fushës në ndeshjen e kthimit që do të luajnë në shtëpi.

Nuk ishte një mbrëmje për t’u shënuar për shqiptarët në Europa Ligë.

Asnjë minutë për Nedim Bajramin në fitoren 3-1 të Gllasgou Rejnxhërs në transfertën kundër Fenerbahçe, ndërsa Hysaj nuk u grumbullua me Lazio për shkak të dëmtimit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!