Banesat e dëmtuara në Kombinat, banorët ankohen: Shteti të na japë zgjidhje për strehim

schedule17:37 - 4 Dhjetor, 2019

schedule 17:37 - 4 Dhjetor, 2019

Një javë pas tërmetit, familjet e prekura në zonën e Kombinatit në kryeqytet kanë filluar të largojnë orenditë e tyre nga banesat. Një pjesë e tyre janë strehuar në çadra, ndërsa të tjerë kanë marrë shtëpi me qira. Banorët kërkojnë zgjidhje për këtë situatë dhe se çfarë do të bëhet me shtëpitë e tyre.

Një javë pas goditjes nga tërmeti, banorët e disa pallateve në zonën e Kombinatit po largojnë orenditë e tyre nga apartamentet e shpallura të pabanueshme

Ata shprehen se deri më tani një pjesë e tyre vazhdojnë të qëndrojnë në çadra dhe askush s’u ka ofruar një strehë në këto netë të ftohta.

“E kanë nxjerrë të pabanueshëm. Unë jam familjare, me 3 fëmijë. Jetoj në bodrum, jemi 3 familje aty. Kam shkuar te bashkia nuk më japin asnjë zgjidhje. As bonusin e qerasë nuk ma japin, ku ti çoj fëmijët, ja ku rrimë, në çadra”, thonë banorët.

Kjo e moshuar shprehet se fle brenda apartamentit të dëmtuar nga tërmeti, pasi nuk ka ku të strehohet edhe pse është e sëmurë.

“Sapo kam marrë ilaçet, jam me tension. Më thanë që je me bronko pneumoni, 180 mijë lek ilaçe, po skam me çfarë ti marr. Jam vetë i 7-të në shtëpi, ku të shkoj, ku të mbytem? Nuk e di çfarë shteti është ky”.

Një pjesë tjetër e banorëve të Kombinatit shprehen se për t’u strehuar me familjet e tyre kanë marrë apartamente me qira që e paguajnë me lekët e tyre.

“Kam gjet shtëpi me qera, të shohim ca do bëhet. Zgjidhje për momentin është të dalim nga shtëpitë. Dilni nga shtëpitë, gjeni ku t doni, strehohuni. Thonë që të shkojmë në qendrat e strehimit. Mirëpo ne që jemi me fëmijë të vogël, nuk mund të shkojmë as nëpër çadra as nëpër shkolla. Unë kam gjetur zgjidhje shtëpinë me qera”.

Në mungesë të vlerësimit nga ekspertët, banorët janë të paqartë nëse duhet të vijojnë të jetojnë apo jo në pallatet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit

“Nuk e dimë çfarë të bëjmë, të futemi brenda apo jo,  të paktën të na thonë do shembet apo jo”./abcnews.al