Dëmet e tërmetit të 26 nëntorit: 28 shkolla të dëmtuara në Tiranë, Lezhë, Kukës e Elbasan

schedule16:37 - 4 Dhjetor, 2019

schedule 16:37 - 4 Dhjetor, 2019

Zyra operacionale ka sjellë shifrat e fundit nga verifikimi i situatës së ndërtesave në terren në qarqet Durrës, Tiranë e Lezhë. Numrin më të madh të ndërtesave të dëmtuara rëndë vijon ta ketë Durrësi, por po rritet bilanci edhe i godinave të shkatërruara në Tiranë.

Zyra Operacionale për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore sjell të dhënat e fundit nga terreni deri në mesditë për qarqet më të dëmtuara nga tërmeti, Durrësin, Tiranën e Lezhën e qarqet e tjera si në Dibër, Kukës, Fier, Elbasan, Berat.

Në emër të zyrës operacionale, zv/Ministrja Rovena Voda tha se sipas të dhënave të përpunuara deri mesditën e së martës , rezulton se janë:

1183  Shtëpi të shembura, nga të cilat në Durrës 1050, në Tiranë 131 dhe në Dibër 2.

5514  Shtëpi të dëmtuara rëndë nga të cilat në Durrës 3838, në Tiranë në 1311, në Lezhë në 168, në Kukës 150, në Dibër 13, në Elbasan 34.

3569 Shtëpi të dëmtuara lehtë nga të cilat në Tiranë 3248, në Dibër 73, në Elbasan 248.

558 Pallate të dëmtuara rëndë nga të cilat në Durrës 35, në Tiranë 461, në Lezhë 56, në Kukës 4, në Dibër 1, dhe në Elbasan 1.

337 Pallate të dëmtuara lehtë, nga të cilat  në Tiranë 330, në Elbasan 7.

20 Pallate të pabanueshme janë në Tiranë.

28 të Shkolla të dëmtuara nga të cilat në Tirana 11, Lezhë 5, Kukës 3, dhe në Elbasan 9.

15 Kabina elektrike të dëmtuara në Tiranë.

146 Biznese të dëmtuara në Tiranë.

Si dhe 2 qendra shëndetësore të dëmtuara në Tiranë dhe 1 në Kukës.

Zyra operacionale bën të ditur se janë 3975 qytetarë gjithsej të akomoduar në strukturat hoteliere për qarqet Lezhë dhe Durrës. Në Lezhë janë akomoduar në tri hotele 1306 qytetarë  ndërsa në Durrës në 13 hotele janë akomoduar 2669 qytetarë.

Zyra operacionale njofton se vijon në terren inspektimi i të gjitha dëmeve në ndërtesa nga 55 ekspertë ndërkombëtarë nga Greqia, Turqia, SHBA, BE, Zvicra, Maqedonia e Veriut dhe Franca, që i janë bashkuar 74 ekspertëve shqiptarë, e prej kësaj të marte i janë bashkuar edhe 30 inxhinierë nga Kosova, duke e çuar numrin gjithsej, në 159.

Deri mesditën e sotme në qarkun Durrës janë inspektuar 541 objekte./abcnews.al