Interpol Tirana ka ekstraduar nga Gjermania në Shqipëri 42-vjeçarin Vladimir Kola, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, si autor i dyshuar i vrasjes së Briken Sanajt me 30 tetor të vitit 2022, tek Kodra e Diellit në Tiranë.
Për të gjykata e Tiranës kishte vendosur në mungesë masën e sigurisë arrest në burg për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “arme mbajetje pa leje”.
Pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar, Vladimir Kola u arrestua në Prill të vitit 2024 në Gjermani. Në shkurt të këtij viti, Prokuroria e Tiranës mbylli hetimet dhe dërgoi në gjyq Vladimir Kolën, të dyshuarin kryesor për ekzekutimin e Briken Sanajt, si edhe Gjelosh Krasniqin, Kened Antonin dhe dy të pandehur të tjerë.
Nga hetimet rezultoi se shkak për ekzekutimin e Briken Sanajt është bërë një sherr i ndodhur në vitin 2012, ku vëllai i Briken Sanajt, Renato është konfliktuar me vëllezërit e Vladimir Kolës pasi i kanë ngacmuar të fejuarën. Në atë kohë Renato Sanaj plagosi me armëGentian Kolën. Dy familjet në Lezhë u futën në hasmëri dhe tentativat për pajtim ishin të pasuksesshme.
Hetuesit e vrasjes së Briken Sanajt, zbuluan se autori Vladimir Kola kishte udhëtuar nga Barcelona në drejtim të Aeroportit të Podgoricës dhe ka hyrë në Shqipëri në mënyrë të paligjshme pa u regjistruar në pikën e kontrollit.
Pas kësaj Vladimir Kola ka blerë një automjet me ndihmën e Gjelosh Krasniqit, Kened Antonit, i cili pas vrasjes së Briken Sanajt është gjetur i djegur në fshatin Domje.
Brenda makinës është gjetur arma e krimit, ndërsa autori Vladimir Kola ka kaluar sërish në Malin e zi në mënyrë të paligjshme./abcnews.al

