Pasojat tragjike nga tërmeti, Zyra operacionale: 4497 shtëpi të dëmtuara rëndë

schedule17:05 - 3 Dhjetor, 2019

schedule 17:05 - 3 Dhjetor, 2019

Zyra Operacionale për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore sjell të dhënat nga terreni për qarqet më të dëmtuara nga tërmeti ku të përfshirë janë Durrësi, Tirana, Lezha dhe qarqet e tjera ku raportohet se ka dëmtime si Dibër, Kukës, Fier, Elbasan, Berat.

4497 është numri i ndërtimeve të shembura e të dëmtuara rëndë nga tërmeti i 26 Nëntorit. Shifra përcillet nga zyra operacionale për menaxhimin e fatkeqësive natyrore që drejtohet nga ministri Bledi Çuçi. Të dhënat që janë në përditësim, i takojnë 8 qarqeve të dëmtuara nga tërmeti ku më të prekurat janë Durrësi, Tirana dhe Lezha.

4497 shtëpi të shembura dhe të dëmtuara rëndë, nga të cilat 3821 në Durrës, 1311 në Tiranë, 168 në Lezhë, 150 në Kukës, 13 në Dibër dhe 34 në Elbasan.

Shtëpi të dëmtuara lehtë janë 3520, nga të cilat 3199 në Tiranë, 73 në Dibër dhe 248 në Elbasan.

558 është numri i pallateve të dëmtuara rëndë, nga të cilat 461 në Durrës, 35 në Tiranë, 56 në Lezhë, 4 në Kukës, 1 në Dibër e 1 në Elbasan.

Numri i pallateve të dëmtuara lehtë është 335, nga të cilët 328 në Tiranë dhe 7 në Elbasan.

28 shkolla janë të dëmtuara, nga të cilat 11 në Tiranë, 5 në Lezhë, 3 në Kukës e 9 në Elbasan. Zyra Operacionale për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore bën të ditur se në Tiranë janë dëmtuar nga tërmeti 15 kabina elektrike dhe 146 biznese e një qendër shëndetësore. Një tjetër qendër shëndetësore raportohet të jetë dëmtuar në Kukës.

Sipas informacionit të Zyrës Operacionale për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore në total janë 6137 persona të evakuuar për shkak të dëmeve të tërmetit, nga të cilët 1961 janë strehuar në hotele, 964 persona në çadra, 867 në qendra sociale ndërsa 2525 persona po qëndrojnë nëpër familje.

Zyra operacionale bën të ditur se vijon në terren inspektimi i të gjitha dëmeve në ndërtesa nga 55 ekspertë ndërkombëtarë nga Greqia, Turqia, SHBA, BE, Zvicra, Maqedonia e Veriut dhe Franca, që iu janë bashkuar 74 ekspertëve shqiptarë, e prej kësaj të marte i janë bashkuar edhe 30 inxhinierë nga Kosova, duke e çuar numrin gjithsej, në 159.

Deri mesditën e sotme në qarkun Durrës janë inspektuar 541 objekte./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!