IKMT shembi 20 objektet e para, pse shembja e Hotel “Lubjana” është mjaft e vështirë?

schedule21:57 - 1 Dhjetor, 2019

schedule 21:57 - 1 Dhjetor, 2019

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka shembur 20 objektet e para të cilat paraqesin rrezikshmëri të madhe, pas tërmetit 6.4 ballësh të 26 nëntorit. Ndër to është edhe hotel Vila Verde dhe Hotel Lubjana. Për shkak të rrezikshmërisë që paraqitet për 3 pallate rreth tij, puna për shembjen e këtij hoteli duket se do të vijojë gjatë. 

Tërmeti i 26 nëntorit ka dëmtuar një numër të madh ndërtesash në Durrës, të cilat janë konsideruar të rrezikshme.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka shembur rreth 20 objekte të dëmtuara nga lëkundjet e forta sizmike.

Inspektorët e IKMT-së shembën edhe hotel Vila Verde, pasi kishte pësuar dëmtime të mëdha në strukturën mbajtëse dhe kishte pothuajse të shkatërruar katin e parë.

Mesditën e së dielës ka nisur shembja edhe e hotel Lubjanës në Durrës. Fillimisht u diskutua se mund të kishte një shembje me eksploziv, por nisur nga fakti se mund të dëmtonte 3 pallate ngjitur me të, u vendos të shembej me ekskavator.

Inspektorët e IKMT-së për më shumë se 4 orë kanë arritur të shembin vetëm një pjesë të hotel Lubjanës. Punime këtë të diel janë kryer vetëm në anën e djathtë të hotelit, për shkak se rrezikon të dëmtojë një pallat 6-katësh ngjitur me të.

Specialistet e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, vendosën që të ndërprisnin punimet për shembjen e këtij objekti për shkak të errësirës. Jashtë kamerës, ekspertet shpjeguan se shembja e Hotel Lubjanës do të jetë mjaft e vështirë pasi një lëvizje e gabuar mund të shkaktojë rrëzim të pakontrolluar të objektit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!