Një 35-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi theu masën e arrestit në shtëpi. Gjithashtu 35-vjeçari ka rezultuar se po drejtonte automjetin pa leje.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, gjatë kontrolleve parandaluese në terren, kanë konstatuar një automjet me xhama të zinj dhe i kanë bërë shenjë ndalimi drejtuesit të tij, me qëllim kryerjen e verifikimeve. Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas nuk ishte i pajisur me leje drejtimi, ndërsa gjatë kontrollit fizik i është gjetur një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Nga verifikimet e kryera më tej, rezultoi se ky shtetas kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, që i kishte caktuar Gjykata, për veprën penale “Vjedhja”. Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan në flagrancë shtetasin 35 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/abcnews.al/

