Ka shumë kulme në karrierën e tij. Novak Gjokoviç jo më kot është rekordmeni i titujve Grand Slem, që janë trofetë më të rëndësishëm të tenisit, por vazhdon të vendosë rekorde të tjera.
Së fundmi, ai arriti një sukses të ri, ndonëse është i vjetër, më shumë se 37 vjeç. Ish-numri 1 I botës u bë tenisti me më shumë ndeshje të luajtura pikërisht në turnetë Grand Slem, me 430.
Kjo, në sfidën e fituar 3-1 ndaj portugezit, Zhaime Faria në raundin e dytë në Australian Open. Kampioni nga Serbia la pas legjendën Rozher Federer që ishte rekordmeni I mëparshëm me 429 ndeshje, ndërsa nga femrat vetëm Serena Uilliams e ka kaluar pragun e 400 dueleve në turnetë e Çmimeve të Mëdha. Pas suksesit, padyshim që Gjokoviç ishte mjaft i emocionuar. Sinkron Gjokoviç
“Çfarë t’iu them. Unë e dashuroj këtë sport, më pëlqen konkurrenca, dhe I dua të gjithë tifozët që janë këtu. Përpiqem të jap maksimumin, dhe këtë kam bërë për 30 vjet që jam në këtë sport. Fitoj apo humbas, rëndësi ka që unë vendos zemrën në fushë. Natyrisht, Grand Slemet janë kulmet e sportit tonë, janë gjithçka në historinë e këtij sporti. Grand Slemet frymëzojnë fëmijët. Kur isha I vogël, 4 apo 5 vjeç, mbaj mend që shikoja finalet në Uimbëlldon. Grand Slemet janë gjëja më e rëndësishme e tenisit dhe unë jam I bekuar që arrita këtë rekord”.
Nole synon ta thellojë edhe më tej rekordin e titujve Grand Slem, ndërsa deri tani ka fituar 24 të tillë, dy më shumë sesa legjenda tjetër, Rafael Nadal. Gjithsesi, fitoret kanë qenë të vështira, dhe Faria u mund vetëm 3-1, ndaj nuk dihet nëse Gjokoviç do të ketë forcën të sfidojë rivalët e rinj si Siner apo Alkaraz./abcnews.al