Vranësirat e këtyre ditëve janë pasuar me reshje shiu. Mbrëmjen e të enjtes ato sollën vështirësi, së pari për banorët e strehuar në çadrat e vendosura në Thumanë.
Disa familje u larguan për t’u vendosur në hotelet e qytetit të Lezhës, të cilët kanë ofruar gatishmërinë e tyre. Me të njëjtën vështirësi u përballën edhe në Durrës, banorët e strehuar në kampin e çadrave, i ngritur pranë stadiumit të qytetit.
Meteoalb parashikon se shirat do vijojnë me intensitet në zonat malore, mesatare në zonat qendrore e më të pakët në jug të vendit. Të premten i gjithë vendi do përballet me një mot me vranësira e shira.
Ky mot ndikon në ngadalësimin, ose ndalimin e punës së operacioneve të kërkim-shpëtimit, për shkak të pasojave të tërmetit të 26 Nëntorit e pasgoditjet e tij.
Në mesditë moti do përmirësohet, por reshjet e shiut do rikthehen sërish në mbrëmje në të gjithë vendin./abcnews.al