Ka histori që dëshmojnë se arti mund të lindë nga gjërat më të zakonshme, mjafton që ato të kalojnë përmes duarve dhe imagjinatës së një njeriu që di të shohë përtej përdorimit të tyre të përditshëm. E tillë është historia e një rrobaqepësi shqiptar, i cili në Romë arriti ta shndërrojë zanatin e tij në një formë të veçantë shprehjeje artistike, duke fituar një vend në hapesiren e artit italian.
Ajo që nisi si një profesion, me kalimin e kohës u bë një univers krijues. Kopsat, gjilpërat, paramandat, fijet e perit dhe tekstilet, materiale të zakonshme të punës së një rrobaqepësi, u shndërruan në mjetet e tij artistike. Me to ndërton vepra që tërheqin vëmendjen jo vetëm për përmasat, por edhe për origjinalitetin, mjeshtërinë dhe mesazhin që përcjellin. Në vend të penelit dhe ngjyrave tradicionale, ai përdor materialet e zanatit të tij për të krijuar një gjuhë vizuale krejt personale. Një dëshmi se arti nuk varet nga mjetet që zgjedh artisti, por nga mënyra se si ai arrin t’u japë atyre jetë dhe kuptim.
Ndër krijimet më domethënëse është anija Vlora, një vepër që rikthen në kujtesë një nga episodet më të fuqishme të historisë sonë të emigracionit. Në gusht të vitit 1991, rreth 20 mijë shqiptarë mbërritën në Itali përmes portit të Barit, në bordin e anijes Vlora, në kërkim të një jete më të mirë. Artisti e ka sjellë këtë ngjarje në art përmes rreth 20 mijë kopsave, duke ndërtuar imazhin e anijes me të njëjtin material që është pjesë e pandashme e botës së tij krijuese. Është një zgjedhje artistike me një simbolikë të jashtëzakonshme: mijëra kopsa për të kujtuar mijëra njerëz, mijëra fate dhe një udhëtim që ndryshoi jetën e një brezi të tërë shqiptarësh. Kështu, vepra nuk është thjesht paraqitja e një anijeje, por një monument artistik kushtuar kujtesës, emigracionit dhe shpresës.
Por historia e artistit merr një domethënie edhe më të veçantë kur mësojmë se, pas 33 vitesh në Itali, ai ka zgjedhur të kthehet në Shqipëri. Galerinë që kishte në Romë e ka zhvendosur në Tiranë, në qytetin ku ka lindur dhe ku sot ndihet i kënaqur.
Nuk bëhet fjalë për një braktisje të Romës, qytetit ku kaloi një pjesë të rëndësishme të jetës dhe ku ndërtoi suksesin e tij, por për dëshirën për të sjellë në vendin e vet gjithçka ka krijuar dhe fituar gjatë një jete të kaluar larg tij.
Ka diçka thellësisht simbolike në këtë udhëtim. Në vitin 1991, anija Vlora transportoi mijëra shqiptarë drejt Italisë, drejt një bote të panjohur, në kërkim të mundësive dhe një të ardhmeje tjetër. Sot, artisti që e ka kthyer atë udhëtim në art bën vetë udhëtimin e kthimit. Pas më shumë se tri dekadash, ai rikthehet me përvojën, krijimtarinë dhe suksesin e fituar në Itali. Sikur historia e anijes të mbyllte një rreth: nga largimi drejt një bote të re, te kthimi në vendlindje me gjithçka që ajo botë i dha.
Në fund, kjo është edhe historia e një njeriu që nuk i ka braktisur kurrë rrënjët, edhe kur jeta e çoi larg tyre. Një rrobaqepës që gjeti te kopset, gjilpërat, penjtë dhe tekstilet një mënyrë për të folur gjuhën universale të artit. Dhe një artist që, pasi ndërtoi emrin dhe krijimtarinë e tij në Itali, zgjodhi ta vazhdojë rrugëtimin në Tiranë.
Sepse ndonjëherë arti nuk është vetëm ajo që krijon, por edhe historia që mbart me vete. Dhe ndoshta nuk ka një mënyrë më domethënëse për të treguar një histori kthimi sesa përmes veprës së një njeriu që e ka shndërruar vetë udhëtimin e largimit në art.


