Junker: Ballkanit t’i jepet një perspektivë europiane, të mos përsëriten ngjarjet e ’90

schedule13:29 - 12 Janar, 2018

schedule 13:29 - 12 Janar, 2018

Në hapjen zyrtare të presidencës bullgare të Bashkimit Europian, presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker dhe kryeministri bullgar Boris Borisov kanë konfirmuar prioritetin e veçantë që do t’i jepet integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE gjatë këtij gjashtë mujori. Presidenti i Komisionit Europuan Jean-Claude Juncker,deklaroi gjatë një konference shtypi të përbashkët në Sofje, se gjatë samitit të 17 majit në Sofje, ai do të flasë personalisht me 6 liderat e Ballkanit për të dëgjuar pritshmërinë e tyre për integrimin europian. Për presidentin e  KE-së, është e rrezikshme nëse Ballkani lihet pa një perspektivë të qartë europiane, pa u shprehur se çfarë etapash konkrete mund të paraqiten nga ekzekutivi europian gjatë samitit të Sofjes. Juncker theksoi, se pjesa më e vështirë e punës për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në Bashkimin Europian, i takon ekipit të ardhshëm të Komisionit Europian nga nëntori 2019 deri në nëntor të 2024, që duhet të nxisë shtetet anëtare dhe opinion publik në këtë drejtim.

Jean-Claude Juncker, presidenti i Komisionit Europian:  « Ballkanit Perëndimor duhet t’i jepet një perspektivë e qartë europiane, përndryshe do të ketë rrezik të përsëritjes së evenimenteve të trishta të viteve 90”. BREXIT nuk do ketë asnjë ndikim në perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit në BE. I takon ekipit të Komisionit të ardhshëm të Komisionit Europian nga nëntori 2019 deri në 2024 që të nxisë shtetet anëtare dhe opinionin publik tê shkojë në këtë drejtim »

Por ajo që eshtë artikuluar qartë nga Presidenti i Komisionit Europian dhe kryeministri bullgar është fokusi te ndërlidhja ndërmjet vendeve të Ballkanit, që ka të bëjë me agjendën e proçesit të Berlinit, por edhe midis rajonit dhe Turqisë.

Boris Borisov, kryeministër i Bullgarisë: “Ne mund t’ju japim një siguri integrimi më të madhe vendeve të Ballkanit për të ndërtuar infrastrukturë, porte, autostrada, aeroporte, hidrocentrale dhe korridoret europiane 8 dhe 10 dhe kjo nuk përbën asnjë rrezik për BE-në. Kjo forcon ndërlidhjen midis këtyre vendeve, nxit investimet dhe turizmin.

Jean-Claude Juncker, president i KE-së: « Eshtë e rëndësishme që ne të rrisim ndëlidhjen midis vendeve të Ballkanit, si dhe midis rajonit dhe Turqisë. Nëse duam që të ndërlidhim më mirë vendet e rajonit të Ballkanit midis tyre, atëherë nuk mund të flitet për shkurtim të buxhetit europian”.

Presidenti i Komisionit Europian ka thënë se ka qenë i kritikuar për deklaratën e tij në marrjen e detyrës në krye të Komisionit Europian, se nuk do të kishte zgjerim të BE-së gjatë mandatit aktual të Komisionit, por ai shpjegoi, se avancimi  aktual në integrimin europian i vendeve të Ballkanit nuk e lejon këtë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!