Diskutimi për pagat e gjyqtarëve dhe situata politike në Kosovë ishin në fokus të deklaratave të analistit Roland Bejko në “Ora e Fundit” në ABC News, i cili theksoi rëndësinë e respektimit të institucioneve dhe hierarkisë së pushteteve në Shqipëri.
Duke folur për pagat, ai tha se debati ka edhe një dimension politiko-juridik, duke e lidhur atë me respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, fakti që çështja po diskutohet në këtë nivel tregon respektim të institucioneve, ndërsa përmbajtja e vendimit duhet të përcaktohet përmes diskutimeve dhe procedurave institucionale.
“Diskutimi për pagat është një diskutim që, tek e fundit, merr një lloj vlere politiko-juridike, sepse vijmë nga një moment kur qeveria shqiptare, që ka shumicën në parlament, kohë më parë nuk i ka respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë kuadër, futja e këtij lloj debati brenda tregon respektim të institucioneve, gjë për të cilën ka nevojë qëndrueshmëria e demokracisë në Shqipëri, për më tepër kur jemi në fazat e kapërcimit të hallkave për integrimin në Bashkimin Europian. Kjo është gjëja e mirë. Pastaj përmbajtjen e zgjidhin diskutimet, debatet, vendimet, përplasjet midis pushteteve dhe, në fund, do të arrihet në një konkluzion të tillë ku palët do të mbeten të kënaqura, sepse, tek e fundit, kur diskutohet, natyrisht që jepet zgjidhje. Është e drejtë pastaj apo është e padrejtë në aspektin moral që gjyqtarët të kenë paga kaq të larta në raport me mesataren e pagave që kanë qytetarët shqiptarë ose sistemi shqiptar i pagave? Natyrisht, kjo është një çështje etike dhe morale që mund të diskutohet, kurse në aspektin ligjor janë institucione të tjera ato që e vendosin. E rëndësishme është që të respektohet hierarkia e pushteteve, sepse ne jemi një republikë ku, në hierarkinë e pagave, paga më e lartë është në formë simbolike ajo e Presidentit të Republikës dhe mbi të nuk duhet të kalohet”, tha ai.
Analisti u ndal edhe te çështja e Gjykatës Speciale në Hagë dhe vendimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai kritikoi mënyrën se si, sipas tij, politika shqiptare ka vepruar ndër vite në raport me Kosovën.
Ai tha se që nga miratimi i Gjykatës Speciale në vitin 2015, njohjet e reja të Kosovës kanë qenë të pakta, ndërsa përmendi edhe dështimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO dhe OKB.
Sipas tij, edhe procesi i integrimit europian të Kosovës nuk ka avancuar dhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara, janë përballur me vështirësi gjatë qeverisjes së Albin Kurtit.
Në deklaratat e tij, ai kritikoi gjithashtu mungesën e progresit në dialogun Kosovë-Serbi dhe mënyrën se si politika shqiptare është pozicionuar ndaj Serbisë.
Ai u shpreh se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë ndikuar edhe nga debati për nismën e Ballkanit të Hapur, ku Kosova nuk u përfshi.
“Mendoj që është bërë shumë pak në të shkuarën. Përveç këtyre mitingjeve të mëdha të karakterit folklorik që ne, sa herë që na duhet për të shfaqur se sa mirë është të jesh shqiptar, i bëjmë si në stadium edhe në sheshe, nuk kemi vepruar institucionalisht aty ku duhet, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Që nga koha, që nga viti 2015, kur është miratuar Gjykata Speciale, numri i njohjeve të Kosovës, sepse një nga arsyet për të cilat iu tha deputetëve “votojeni”, ishte se do të ketë edhe më shumë njohje të Kosovës nga shtetet që nuk e kanë njohur, ka qenë minimal. Që nga viti 2015 mund të kenë ndodhur dy ose tre njohje, domethënë shumë pak. Kjo e pengon Kosovën që të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Kosova nuk është as në OKB. Dështoi të hynte edhe në UNESCO, që, tek e fundit, UNESCO nuk është se ka ndonjë pozicion politik; është më shumë në aspektin kulturor e historik.
Ndërkohë që procesi i integrimit në Bashkimin Europian ka ngecur në vend. Edhe këtë nuk e kanë realizuar. Marrëdhëniet me ndërkombëtarët, sidomos me Shtetet e Bashkuara, kanë qenë të vështira me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet. Ndërkohë, edhe negociatat me Serbinë duket që nuk kanë avancuar.
Nga ana tjetër, politika shqiptare nuk është treguar shumë e ashpër me Serbinë. Natyrisht, për një çështje gjeostrategjike, për të treguar edhe ndërkombëtarëve dhe për ta ndihmuar faktorin ndërkombëtar që Serbinë ta shkëpusë nga Rusia dhe ta fusë në Europë, me parimin që sa më e integruar të jetë një vend me të cilin dje ke qenë në konflikt, aq më mirë është për paqen në rajon. Por, në fakt, shohim që na ka prodhuar edhe një efekt të tillë që është mikluar shumë Serbia dhe është, le të themi, nuk është mikluar, por kaq dhe Kosova. Duhet të jemi të kujdesshëm në zgjedhjen e fjalëve.
Sidomos debati që u hap ku Kosova nuk u përfshi, për arsyet që ajo paraqiti, tek çështja e Ballkanit të Hapur. Natyrisht që kjo nuk i bëri mirë Kosovës, nuk i bëri mirë as forcimit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ndërkohë që dhënia e vendimit nga Gjykata Speciale gjeti politikën shqiptare shumë të ndarë. E ndarë në Shqipëri dhe katastrofë në Kosovë: pa qeveri, dy vjet, nuk zgjedhin dot Presidentin, mungon dialogu politik. Dhe është një dialog me hile që bëhet, dhe kur bëhet, bëhet me hile, bëhet me kurthe. Bëhet dialog që të mos realizojë një përfundim, një rezultat, të realizojë diçka, atë për të cilën dialogohet. Në rastin konkret, është zgjidhja e krizës politike në Kosovë, që të mos kalohet prapë në zgjedhje të parakohshme”, tha ndër të tjera ai.
/abcnews.al/

