Zjarrfikësi Arben Cara: Si i gjeta 7 familjarët e mi nën rrënoja në Thumanë

schedule18:43 - 28 Nëntor, 2019

schedule 18:43 - 28 Nëntor, 2019

Arben Cara ishte mbi rrënojat e Vilës Palma në krye të operacionit për shpëtimin e Klajdi Qatos kur kolegët e lajmëruan se duhet të nisej drejt Thumanës. Kur mbërriti atje mësoi se mbi rrënoja ishin edhe familjarët e tij.

Arben Cara rrëfen për “ABC News” se ishte e vështirë dhimbja për 7 familjarët e tij që gjeti të vdekur nën rrënoja por në misionin e zjarrfikësit, të gjithë i sheh njësoj, me të  njëjtën dhimbje e me të njëjtin përkushtim për t’i shpëtuar.

Dora e ftohtë akull si e një nënë, e hedhur mbi trupin e pajetë të vajzës 7-vjeçare, është skena që kurrë nuk do t’i hiqet nga mëndja Arben Carës.

“Kemi përjetuar një shok të rëndë, pasi fëmija 7 vjeç u gjend në krahët enjeriut të vet, dukej sikur e mbronte. Në ato momente kishim një përjetim të thellë”, thotë ai.

Ka 15 vite që punon zjarrëfikës, në  luftë me flakë, përmbytje, termete e situate të tjera të ngjashme…. papushim në betejë për të shpëtuar jetë njerzish, por ky fund nëntori e ka goditur si kurrë më parë.

Mëngjesin e 26 nëntorit, pas goditjes së parë të termetit, Arbeni ishte duke drejtuar operacionin e shpëtimit te Vila Palma, atje ku u shpëtua Klajdi 25 vjeçar por u nxor nga rrënojat i vdekur,  gjyshi i tij.

Ishte atje në krye të atij operacioni kur kolegët e tij e lajmëruan dhe drejtuesit e urdhëruan që të niset drejt Thumanës, sepse atje ishin nën rrënoja familjarët e tij.

“Fillimisht jam nisur për në Durrës, pasi morëm kontakt me Drejtorin e Zjarrëfikëseve në Durrës, na ka nisur urgjent te Hotel Palma. Kemi operuar fillimisht te Hotel Palma, duke nxjerrë trupat e një familjeje aty, dhe më pas jam informuar që në Thumanë kishte ndodhur tjetër tragjedi, si pasojë e tërmetit. Më kanë dhënë leje, dhe urdhëruar të nisem drejt Thumanës, për të shkuar në një ekip shpëtimi, për të ndihmuar në Thumanë”.

Kur gjendet në situate të tilla, e ku i duhet që poshtë rrënojave të kërkojë me shpresë për njerëz me jete, për Arben Carën janë të gjithë njësoj si familja e tij. Megjithatë,  duhet të ketë qenë shumë e vështirë sepse nën ato rrënoja të pallatit të shembur në Thumanë, Arben Cara  gjeti të pajetë shtatë familjarë të tij.

“Për mua është një humbje shumë e madhe, dhe dhimbja është e pakufishme, por nuk ka qenë qëllim, për të nxjerrë trupat e familjes Cara. Kryesorja ishte të nxirrnim personat gjallë që ne komunikonim”.

Lindita ishte një prej familjarëve të tij, që u shpëtua nga rrënojat.

Megjithë dhimbjen për familjarët e tij, e gjithë viktimat që u gjentën nëpër rrënoja, Arben Cara është i vendosur të vazhdojë me përkushtim, për ta përballuar situatën duke shpresuar sërish që poshtë rrënojave të gjenden shënja jete./abcnews.al