Nga lagja 18 në Durrës, aty nga ku vijon operacioni i kërkim-shpëtimit prej 35 orësh, të familjes Lala, gazetari i ABC News Juxhin Mustafaraj raportoi për abcnews.al se ende nuk ka informacione për gjetjen e ndonjë pjesëtari të kësaj familjeje. Përpos këtij lajmi tronditës, gazetarët janë gjendur në vështirësi, pas situatës që ka krijuar, ministrja Belinda Balluku.
Gazetari i ABC News Juxhin Mustafaraj, raportoi se nuk është bërë e mundur, lidhja me studion e ABC News, për një kohë të gjatë, pasi ministrja Belinda Balluku, ka urdhëruar Drejtorin e Policisë së Shtetit Ardi Veliu, që të largojë të gjithë kamerat, pasi sipas ministres, gazetarët ndodhen aty për të bërë spektakël.
Në emër të profesionalizmit, të të gjithë kolegëve gazetarë, ku mes lotësh e vështirësish, kanë përcjellë këtë ngjarje të rëndë , ku të gjithë shqiptarët anë e kënd botës janë të tronditur për humbjet e jetëve, do të donim që situata të tilla, emotive ose jo, të evitoheshin në këtë situatë të tillë tragjike, që ka goditur Shqipërinë.
“Si unë dhe kolegët e mi, kemi qenë pak metra larg, të njërit prej djemve të familjes Lala, dhe në asnjë moment, nuk kemi tentuar, jo vetëm të marrim një prononcim, por dhe nuk kemi dashur të trazojmë gjendjen psikologjike të rënduar, në të cilën ai ndodhej. Gjithë media, por edhe kolegët tanë, të ardhur nga vendet e tjera të europës, dhe të botës, janë duke raportuar për pasojat që ky fenomen natyror ka shkaktuar në Shqipëri dhe që ka përcjellë pasoja të tilla. Tashmë pranë familjes Lala ka mbërritur presidenti Meta i cili është duke komunikuar me ta”, raportoi nga lagjja 18 në Durrës gazetari Juxhin Mustafaraj.
Në emër të respektit për viktimat, në emër të respektit për ngjarjen, dhe për faktin që sot është një ditë Zie Kombëtare, duam të shmangim çdo koment ndaj deklaratës së ministres.
Jemi të fokusuar te puna jonë, të raportojmë mbi ngjarjen tronditëse, ashtu sikurse kemi raportuar që në orën 5 të mëngjesit, të parët. Ndoshta po të parët, kemi informuar zyrtarët e shtetit, për atë që ishte duke ndodhur, përmes ekraneve, mikrofonave, dhe kamerave tona, të të gjithë televizioneve, jo vetëm të Televizionit tonë.
Në emër të kësaj pune, kërkojmë respekt për atë që ka ndodhur, për viktimat, për familjet e tyre, dhe le të vazhdojmë të bëjmë punën tonë sikurse e kemi bërë deri tani./abcnews.al