Në një intervistë për ABC News, një nga zjarrfikësit e mbërritur nga Italia për të ndihmuar në nxjerrjen nga rrënojat të personave të mbetur të bllokuar si pasojë e tërmetit, u shpreh se jemi ende në një fashë kohore ku mund të shpresohet për të mbijetuar.
“Është një operacion shumë i vështirë, struktura është e shembur dhe katet kanë rënë njëri sipër tjetrit duke u shtypur. Ne duhet të mbërrijmë pikërisht aty poshtë për të gjetur njerëzit, të cilët mendohet se janë gjashtë. Është një operacion shumë delikat sepse duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm që të mos u shkaktojmë dëmtime të mëtejshme njerëzve që kanë mbetur të bllokuar nën gërmadha. Arsyeja se pse operacioni po vazhdon me ritme shumë të ngadalta ka të bëjë pikërisht me faktin se është një situatë e rrezikshme. Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për të hequr gërmadhat por duhet gjetur pika e saktë ku të kërkojmë, dhe ku të hyjmë pa shkaktuar dëme. Pa i bërë keq njerëzve që ndodhen nën gërmadha. Jemi ende në një fashë kohore ku mund të thuhet se ka ende shpresa për të gjetur të mbijetuar nën këto rrënoja. Por vendi ku po punojmë dhe situata janë shumë serioze”. /abcnews.al