Klubi i Futbollit Tirana, përmes një njoftimi të zyrës së shtypit, ka bërë me dije se do t’u vijë në ndihmë qytetarëve, duke ngritur një kamp pranë stadiumit “Selman Stërmasi”. Bardheblutë bëjnë thirrje që kësaj nisme t’u bashkëngjiten edhe qytetarë të tjerë, të cilët mund të ndihmojnë në këtë situatë të krijuar pas rënies së disa tërmeteve ditën e djeshme dhe sot.
“Humanizëm bardheblu. Klubi i Futbollit Tirana sensibilizohet me situatën alarmante që ka përfshirë Shqipërinë dhe kryeqytetin. Në ndihmë të familjeve të rrezikuara, qytetarëve të përfshirë nga paniku dhe personave në nevojë, KF Tirana do të hapë një minikamp në fushën sportive pranë stadiumit “Selman Stermasi”, për të suportuar çdo nevojë në orët e ardhshme.
Prej orës 19:30, ftojmë të gjithë qytetarët t’i bashkohen kësaj nisme humanitare duke dhuruar çdo gjë që munden: strehim falas, ushqim falas, ujë falas, asistencë mjekësore falas. Për çdo kontribut vullnetar kontaktoni në numrin e telefonit: 0693533368”, thuhet në komunikatën e klubit të Tiranës. /abcnews.al