SHQIPËRI- Fitorja e Donald Trump në zgjedhjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka krijuar një vrull të jashtëzakonshëm në tregun e kriptovalutave, sidomos për Bitcoin.
Çmimi i Bitcoin është rritur me 29% në javët e fundit, duke arritur nivelet më të larta të të gjitha kohërave.
Aktualisht një bitcoin në treg vlerësohet mbi 80 mijë dollarë.
Eksperti i ekonomisë, Adrian Civici, i ftuar në “Money Report” në ABC News, u shpreh se vrulli rritës i tregut të kriptomonedhave është ndikuar nga efekti “Trump” dhe premtimet që ai ka bërë për ekonominë dhe për tregjet financiare.
“Ka filluar të flitet për efektin ‘Trump’ në tregjet financiare. Po, për momentin po, sepse kemi parasysh që Bitcoin pati rënie, dhe më pas filloi një ngritje graduale, por gjithsesi ishte nën ndikimin ndaj masave rregullatore që priteshin të ndërmerrnin nga bankat qendrore”, tha ai.
Donald Trump është zotuar ta bëjë Amerikën kryeqytetin e kriptomonedhave në botë dhe madje ka hedhur idenë e krijimit të një rezervë kombëtare në Bitcoin. Për kepëtin Civici, krijimi i një rezerve kombëtare në Bitcoin është i mundur pasi në SHBA ekzistojnë strukturat dhe agjencitë e tjera kontrolluese
“Krijimi është i mundur sepse ekzistojnë strukturat dhe agjencitë që mund ta bëjnë këtë gjë. Kjo është vendimmarrje politike, por edhe një vendim financiar”, u shpreh ai.
Gjatë diskutimit me gazetaren Genta Dobra, Civici theksoi se parashikimi i analistëve se Bitcoin mund të kapë vlerën 100 mijë dollarë mund të përmbushet.
Sipas tij, premtimet dhe zotimet e Trump kanë bërë që tregu i kriptos të marrë një rritje të shpejtë.
“Parashikimet janë që mund të kalojë shifrën e 100 mijë dollarë. Ai i shikon si investime me potenciale të mëdha që mund t’i vlejnë ekonomisë së SHBA”, u shpreh Civici./abcnews.al