Zgjedhje presidenciale në SHBA/ Cenkollari: Pjesëmarrje e konsiderueshme në votimet e mëhershme, sondazhet tregojnë një garë të ngushtë

schedule16:24 - 5 Nëntor, 2024

schedule 16:24 - 5 Nëntor, 2024

Zgjedhjet e 60-ta presidenciale të SHBA-së do të vendosin presidentin e 47-të – që konsiderohet gjerësisht si njeriu më i fuqishëm në Botë dhe zëvendëspresidentin e 50-të.

Kandidatët dhe mbështetësit e tyre po i përshkruajnë zgjedhjet e 5 nëntorit si më të rëndësishmet e jetës së tyre, me demokracinë dhe mënyrën e jetesës amerikane në rrezik.

Në një intervistë në “Faqja 4”, gazetarja e “Zërit të Amerikës” Klementina Cenkollari, u shpreh se tashmë në pjesën më të madhe të vendit janë hapur qendrat e votimit, përfshirë edhe ato që konsiderohen si shtete vendimtare.

Gjatë intervistës, ajo nënvizoi se votimi ka nisur në shumicën e shteteve. “Në pjesën më të madhe të vendit janë hapur qendrat e votimit përfshirë edhe ato që konsiderohen si shtatë shtete vendimtare. Gara është në kufijtë të jashtëzakonshme mes dy kandidatëve kryesore. Më vonë do të mbyllen kutitë në orët e vona të mesnatës të mërkurës. Por një pjesë e votuesve kanë mbërritur edhe më herët për të hedhur votën e tyre. Nga vëzhgimi mund të themi që ka një pjesëmarrje të konsiderueshme në ato që konsiderohen shtete vendimtare. Ka një prirje më të ulët për të votuar përmes votimit të hershëm në këto vende. Por duhet thënë se në këtë proces zgjedhor mbetet i madh numri i amerikanëve që kanë zgjedhur t’i drejtohen votimit të mëhershëm, gati më shumë se gjysma e atyre votuesve që morën pjesë në ciklin zgjedhor të 2020”, nënvizoi ajo.

Më tej u ndal edhe pëlqyeshmëria e kandidatëve, duke thënë se në bazë të anketimeve, rezulton se në Pensilvani ka një mbështetje të barabartë për dy kandidatët.

“Duhet të kemi parasysh se në këto anketime diferenca mes kandidatëve është 1 % në favor të njërit apo tjetrit dhe për shkak të kësaj diference kaq të vogël është e vështirë edhe të parashikohet fituesi i zgjedhjeve. Kujtojmë që kur zonja Harris nisi fushatën pati një mbështetje të madhe, por me kalimin e fushatës u ngushtua dhe arsyet janë të ndryshme në shtete të ndryshme dhe nga votues të ndryshëm. Harris ditën e sotme është përpjekur të vijë me një mesazh të drejtpërdrejtë duke deklaruar se do t’i kushtojë vëmendje çështjes së ekonomisë”, u shpreh Cenkollari.

Më tej Cenkollari shtoi se në shoqërinë amerikane ka një lloj polarizimi. E pyetur nëse ekziston rreziku që pas zgjedhjeve të  ketë tensione, ajo shtoi se në fushatat e tyre të dy kandidatët kanë bërë të qartë se janë përgatitur për beteja ligjore.

“Nga të dyja fushatat dihet që është fakti që ata po përpiqet që nëse nuk ka fitues të qartë, janë përgatitur për beteja ligjore. Kjo është ana zyrtare që vjen nga fushata e të dy kandidatëve kryesore”, tha ndër të tjera Cenkollari.

/abcnews.al/