Atentati me 3 viktima në Shkodër/ Policia rindërton dinamikën e vrasjes, dyshohet për 4 autorë të përfshirë

schedule08:56 - 31 Tetor, 2024

schedule 08:56 - 31 Tetor, 2024

Detaje të reja janë mësuar nga masakra e ndodhur një ditë më parë në Shkodër, ku mbetën të vdekur tre persona.

Nga dinamika që policia ka rindërtuar në vendngjarje dyshojnë se kanë qenë të paktën 4 autorë që kanë marrë pjesë në atentatin në Dobraç.

Tre prej tyre qëndronin në makinë, 2 qitës dhe shoferi dhe i katërti i ka pritur për t’i larguar pasi dogjën makinën.

32-vjeçari Arlind Bushati i cili humbi jetën si pasojë e plagëve të marra dhe Hamza Lici, i cili ndërroi jetë në vendngjarje, ishin shënjestrat e atentatit të ndodhur në zonën e Dobraçit.

Lici dhe Bushati, ndodheshin në një automjet dhe po lëviznin në momentin që iu bë atentat.

Automjeti ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur një motoçikletë që udhëtonte çifti i bashkëshortëve, Bashkim dhe Flutura Basha. Kjo e fundit ka ndërruar jetë.