Filippo Inzaghi mori drejtimin e Beneventos në verë dhe objektivi është kalimi në Serie A. Trajneri italian po bën një punë të shkëlqyer dhe “Shtrigat” janë në rrugën e duhur për t’u rikthyer në elitën e futbollit italian.
Benevento kryeson Serie B dhe numëron 28 pikë pas 13-të javëve të para. Ish-sulmuesi i njohur ka një dëshirë të madhe për merkaton. TuttoB.com raporton se SuperPipos pëlqen shumë Fabio Borini, lojtari i Milanit.
Në rast të një rikthimi në Serie A, Benevento do të niste sulmin për Borinin, të cilit i përfundon kontrata me kuqezinjtë në verë. Për të siguruar shërbimet e 28-vjeçarit duhet mposhtur konkurrenca e Brescias dhe Genoas. /abcnews.al