Eksperti për çështjet e BE, Gerti Xhaxhiu ka deklaruar në “News Line” se arrestimi i ish-presidentit Ilir Meta është një mesazh pozitiv për të shtyrë përpara procesin e integrimit europian.
“Në fakt duket sikur nuk ka një lidhje me njëra-tjetrën. Duket sikur integrimi europian do të vazhdojë, po gjyqësori do të bëjë punën e tij. Në fakt, trajektorja e integrimit të shumë vendeve tregon që ka një lidhje të fortë mes sistemit të drejtësisë dhe procesit të integrimit. Rasti i Kroacisë, Sllovenia, vende që i kemi dhe afër. Pra, ka një korelacion të drejtpërdrejtë. Sigurisht që një vend kandidat siç është Shqipëria tregon përpjekje të hekurta në raport me vënien para drejtësisë të zyrtarëve publikë që kanë konsumuar pushtet, tregon një lloj përgjegjësie të veçantë. Ky është një mesazh pozitiv për Brukselin për të shtyrë përpara procesin dhe për të përmbushur disa nga kriteret etj. Integrimi në BE është dhe statistik dhe një prej shifrave që raportohet rregullisht, është vënia e zyrtarëve përpara drejtësisë. Janë rrugë të ndara, por në thelb ato punojnë për njëra-tjetrën”.
Ai është ndalur dhe te Serbia dhe Kosova, duke theksuar arsyet pse këto dy shtete nuk janë gati për të qenë pjesë e Bashkimit Europian.
“Serbia ka rreth 10-12 vjet që ka nisur negociatat, kjo tregon që gjërat nuk kanë shkuar fort mirë në aspektin e negociatave. Entuziastët e kohës e parashikonin integrimin në vitin 2020, por jemi tani këtu dhe nuk ka ndodhur. Është situata me Moskën, me Kosovën, janë kushte që Serbia duhet t’i pastroj, t’i sqaroj përpara integrimit. Ndërkohë, dhe Kosova ka ndjekur një retorikë të caktuar, sigurisht që ka pasur ulje, ngritjet dhe strukturat administrative nuk janë gati për shkak të brishtësisë së shtetit të Kosovës, sigurisht dhe politika aktuale atje nuk ka qene fort ndihmuese dhe me atë çfarë Brukseli ka kërkuar”.
Sa i përket hapjes së Kolegjit të Europës në Tiranë, nga presidentja e KE, Ursula von Der Leyn, Xhaxhiu u shpreh:
“Hapja e Kolegjit në Tiranë është një mesazh i qartë që ka një pol të tretë të Europës në këtë kontinent, poli i parë në Bruzhd që është dhe selia kryesore, i dyti në Natolin të Polonisë dhe i treti në Tiranë. Mendoj që ka një mesazh të fshehtë dhe një simbolik që ky pol i tretë në Ballkan do të jetë pararendës i integrimit të Shqipërisë dhe më pas i gjithë Ballkanit në Bashkimin Europian”./abcnews.al