Pedagogu për marrëdhëniet ndërkombëtare, Bledar Kurti e ka konsideruar Tiranën si qendër të rëndësishme për Bashkimin Europian, pasi vizitat e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tashmë janë të përvitshme.
Në një lidhje me Skype për “News Line”, ai tha se Tirana tashmë është shndërruar në pikën kryesore për Ballkanin Perëndimor.
“Von Der Leyen vjen tashmë në mënyrë përvitshme në Tiranë dhe këtu dua të theksoj që po shikojmë në vitet e fundit që më shumë po vjen Evropa në Tiranë se po shkon Tirana në Evropë. Kjo nuk duhet marrë aspak negativisht, por duhet marrë shumë pozitivisht. Një nga arsyet pse ajo e nis në Tiranë është pikërisht kjo se Tirana tashmë është shndërruar në pikën kryesore për Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, është inagurimi i Kolegjit të Europës, që është kampusi i tretë. Po, është domethënëse ardhja e presidentes së Komisionit Evropian, duke e nisur nga Tirana.
Vetëm në vitet e fundit ne kemi vizita të shpeshta të Presidentes së Komisionit Evropian që kanë vizituar Tiranën dhe kështu tregon një interes të drejtpërdrejtë të Komisionit Evropian dhe të vetë Ursula Von Der Leyen. Unë e shikoj pozitive, investimin që ajo ka në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor se duhet të kuptojmë që nuk jemi të ndarë, dhe Evropa është e paplotë pa Ballkanin Perëndimor”.
Lidhur me përurimin e Kolegjit Europian në Tiranë, ai tha se hapja e tij ka një impakt të madh për vendin tonë. Kjo pasi, sipas pedagogut, sjell Tiranën në qendër të vemendjes edukative.
“Çfarë përfaqëson Kolegji i Evropës? Është për specialistët, për ata të diplomuar me diplomë, ekselentë që kanë shkëlqyer në karrierën e tyre akademike dhe tashme i ofrohet një master mbi menaxhimit të politikave europiane dhe të konceptit të integrimit të vendeve të ndryshme në BE. Është përgatitja e ekspertëve që të formosojnë njëhësimin e ligjeve, ekonomisë, etj, të shteteve të tyre ku ata punojnë me Brukselin”.
Në fund, ai preku dhe integrimin e Kosovës, duke theksuar se ka ndryshuar metodologjia e vendeve dhe Prishtinës i duhet akoma shumë punë./abcnews.al