Heqja e përfitimeve sociale për grupe të caktuara refugjatësh – kjo ishte një nga pikat më të rëndësishme fillimisht në “paketën e sigurisë” të qeverisë së koalicionit gjerman. Sipas saj duhej të kishte shkurtime të përgjithshme ndihmash për të ashtuquajturit “refugjatë të Dublinit”, pra ata që janë regjistruar tashmë në një vend tjetër të BE-së.
Paketa e re tani duhet të përfshijë një rregullore për raste vështirësish që prek, ndër të tjera, fëmijët, sipas informacioneve të ARD-së. Përtej kësaj, shkurtimet e përfitimeve sociale duhet të jenë të mundshme, vetëm nëse është realisht e mundur që marrësi aktual i ndihmave mund të udhëtojë në vendin fillimisht përgjegjës të BE-së, thuhet nga grupi parlamentar, Aleanca 90/Të Gjelbërit.
Kurse grupi parlamentar i SPD-së në një letër drejtuar anëtarëve të tij, thekson, se shkurtimi do të hynte në fuqi vetëm nëse “nuk do të kishte pengesa për kthimin”. Me këto ndryshime, grupet parlamentare reagojnë pas kritikave ndër të tjera të ekspertëve që u dëgjuan në seancat e ekspertëve në Bundestag. Prej javësh ka pasur paralajmërime për vështirësi drastike për të prekurit: “Me heqjen e përfitimeve sociale, ne nuk duam duan të krijojmë as të pastrehë as mjerim për azilkërkuesit”, thuhet në letrën e SPD-së.
Më shumë kompetenca vetëm për krimet e rënda
Por ende është pjesë e paketës dhënia e më shumë kompetencave autoriteteve të sigurisë, për më shumë opsione hetimore: psh lejohet më tej kontrolli i përputhjes biometrike për njohjen e fytyrës, me qëllim lehtësimin e identifikimit të të dyshuarve. Megjithatë kompetencat tani janë të kufizuara në ndjekjen penale ose parandalimin e krimeve më të rënda, të tilla si vrasja, vrasja nga pakujdesia ose formimi i një organizate terroriste. Më këtë do të ketë dukshëm më pak raste në të cilat autoritetet i përdorin metoda të tilla. “Grupi i synuar do të kufizohet më tej”, shkruan grupi parlamentar i SPD. Ekspertët i kishin përshkruar planet si shkelje të gjera të të drejtave themelore. Kjo është arsyeja pse ato tani duhet të kufizohen vetëm për raste të jashtëzakonshme.
Kritika për ndalimin e thikave
Përveç kësaj, shënohet tek paketa e sigurisë, se duhet bërë një vlerësim i masave pas tre vjetësh – jo nga vetë Ministria e Brendshme, por nga studiues të pavarur. Nga ekspertët e sigurisë ka pasur kritika të qarta në seancat dëgjimore në Bundestag për ndalimet e planifikuara të thikave, ku u fol për “politikë të pastër simbolike” dhe se qeveria e koalicionit nuk e përcakton dot në mënyrë adekuate, se çfarë konsiderohet thikë. “A është thikë edhe thika e peshkut nga kutia e takëmeve?” pyeti një hetues i lartë kriminal i cili duhej të vlerësonte planet.
“Ne duhet ta marrim seriozisht këtë kritikë, prandaj tani ka ndryshime”, tha deputeti i grupit parlamentar të FDP-së, Konstantin Kuhle. Rregulloret e reja “do t’i mundësojnë të gjithëve të kuptojnë, nëse janë të prekur nga ndalimi i thikës apo jo”. Qeveria e koalicionit do ta diskutojë paketën e sigurisë që javën e ardhshme në komisionin e brendshëm parlamentar të Bundestagut dhe më pas në Bundestag./ DW