Zyrtari amerikan në Kosovë: Kush vepron jashtë dialogut përshkallëzon tensionet

schedule13:48 - 12 Tetor, 2024

schedule 13:48 - 12 Tetor, 2024

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof qëndroi dy ditë në Kosovë , ku përcolli mesazhin, se “veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës, i komplikojnë kapacitetet e SHBA-së për të mbështetur Kosovën”. “Në takimet e mia me presidenten dhe kryeministrin kam përsëritur dëshirën tonë për një partneritet më efektiv. Gjithashtu, jam shprehur i kënaqur me rifillimin e qarkullimit të mallrave nga Serbia në Kosovë dhe që Kosova ka arritur të marrë vendin e saj në CEFTA dhe në Procesin e Berlinit”, tha Kasanof. Zyrtari i lartë amerikan që për herë të parë viziton Kosovën dhe i cili pason në këtë detyrë, Gabriel Escobar, para ardhjes në Kosovë vizitoi edhe Sarajevën dhe Beogradin.

“SHBA-ja pret që Kosova dhe Serbia t’i përmbushin të gjitha angazhimet që kanë marrë përsipër në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja, si dhe me marrëveshjet e arritura në kuadër të tij. Kjo përfshin edhe dërgimin e draft-statutit për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese të vendit”, tha Kasanof për një grup gazetarësh në Prishtinë.

I dërguari amerikan për Ballkanin Aleksandër Kasanof, në Kosovë ishte në ditën kur u bë edhe ndërrimi i komandës së KFOR-it, nga gjenerali i ushtrisë turke gjeneralmajor, Ozkan Ulutash te gjeneralmajori i ushtrisë italiane, Enrico Barduani. Në ceremoninë e ndërrimit të komandës ishte edhe komandanti i marinës amerikane për Evropën dhe i forcave të NATO-s në bazën e Napolit, admirali amerikan, Stuart B. Munsch.

Admirali amerikan ishte i qartë në mesazhin e tij në Prishtinë. Qeveritë që veprojnë në mënyrë të njëanshme jashtë dialogut, përshkallëzojnë tensionet, tha ai. “Duke vepruar jashtë këtij dialogu, duke vepruar pa përkushtim të vërtetë ndaj këtij dialogu ose grindjet për atë që se çfarë duhet të përfshihet apo përjashtohet nga ky dialog, janë veprime që nuk do të arrijnë asnjë siguri kuptimplotë.” Admirali Munsch shtoi se kështu qeveritë dëmtojnë në mënyrë të panevojshme emrin e tyre si partnerë të besueshëm ndërkombëtarë”, tha Admirali Munsch.

Qeveria e Kosovës kohët e fundit është kritikuar vazhdimisht nga diplomacia perëndimore për veprime të njëanshme në veri të Kosovës. Qeveria pa koordinim ndërkombëtar, mbylli strukturat paralele serbe në veri, mbylli Postën e Serbisë, ndaloi përdorimin e dinarit dhe kishte synim edhe hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë./DW