Mijëra protestues marshuan të enjten në Vjenë, duke u bërë thirrje partive politike të Austrisë, posaçërisht partisë konservatore në pushtet, të mos e bëjnë Qeverinë e re së bashku me partinë e së djathtës ekstreme, Partia e Lirisë (FPO), e cila i fitoi zgjedhjet e përgjithshme për herë të parë të dielën e kaluar.
FPO-ja, e udhëhequr nga Herbert Kickl, i fitoi 29 për qind të votave, duke e lënë në vendin e dytë Partinë Popullore Austriake (OVP), e cila i mori 26 për qind të votave.
Megjithatë, FPO-ja ka dështuar ta fitojë shumicën në Parlament për ta formuar vetë Qeverinë e re të Austrisë dhe tani i duhet ta formojë një koalicion për ta udhëhequr Qeverinë për herë të parë në historinë e vet.
FPO-ja është euroskeptike dhe miqësore ndaj Rusisë, si dhe kritike ndaj islamit dhe është zotuar për rregulla të ashpra ndaj azilkërkuesve.
Vetëm OVP-ja e ka lënë derën e hapur për koalicion qeveritar me FPO-në, edhe pse ka thënë jo nëse pjesë e Qeverisë së re do të ishte lideri i saj Kickl.
FPO-ja ngul këmbë se Kickl do të jetë pjesë e Qeverisë së re.
“Ne duam ta themi qartazi tani: E dashura OVP, ju lutem mos u futeni në këtë marrëveshje përsëri”, tha Marty Huber, njëri nga organizatorët e protestës, për Plus 24 TV.
Një turmë e madhe njerëzish u mblodhën pranë Universitetit të Vjenës duke valëvitur flamuj dhe duke mbajtur pankarta me mbishkrime, si “Mbrojeni demokracinë”.
Huber po i referohej faktit se OVP-ja ka qenë tashmë dy herë në Qeveri me FPO-në, por në secilën herë FPO-ja ka qenë partneri i vogël. OVP-ja zuri vendin e dytë në zgjedhjet e së dielës, duke ngelur rreth 2 pikë mbrapa FPO-së.
Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, i cili mbikëqyr formimin e qeverive, pritet të takohet me liderët e të gjitha partive parlamentare, duke nisur me Kicklin të premten.
Ai gjithashtu u ka bërë thirrje atyre të mbajnë bisedime me njëra-tjetrën për formimin e koalicionit qeverisës.
OVP-ja do ta kishte një shumicë të qartë, nëse bashkohet me vendin e tretë, Socialdemokratët dhe me një parti më të vogël si, për shembull, liberalët e Neos./rel