Entuziazmi i fitores në ndeshjen e parë nuk I shërbeu Kosovës, që në sfidën e saj të dytë në Ligën e Kombeve u dorëzua 3-1 në transfertën kundër Austrisë. “Dardanët” gabuan shumë në sulm dhe mbrojtje, ndërsa u zgjuan shumë vonë në pjesën e dytë.
Vedat Muriqi do ta mbaj mend gjatë rastin e parë dhe flagrant të ndeshjes, që e sfumoi me një goditje të gabuar. Një mundësi e artë për skuadrën e Fodas për të kaluar në epërsi.Austriakët kaluan momentin e vështirë dhe në minutën e 23-të shbllokuan ndeshjen me Afengruber.
“Dardanët” provuan të reagonin, por në shtesën e pjesës së parë do të ndëshkoheshin sërish me një kundërsulm të shpejtë të vendasve, të finalizuar me portën bosh nga Adamu.
Foda u kthye me ndryshime në pjesën e dytë, duke hedhur në fushë edhe Zhegrovën. Sulmuesi i Juventus i dha më rrezikshmëri sulmit, por më të mirën do ta merrnin sërish vendasit.
Në minutën e 61-të, Çukvumeka shënoi edhe golin e tretë, si një goditje “KO” për Kosovën. Me humbjen e sigurtë, “Dardanët” vetëm sa shënuan golin e nderit shtatë minuta nga fundi i kohës së rregullt, pasi Zhegrova goditi saktë nga pika e penalltisë.
Një rrjetë ngushëllimi, por që nuk evitoi disfatën e parë të Kosovës në Ligën e Kombeve, që mban në kuotën e tre pikëve pas dy ndeshjeve të para. Ndërkohë, grupi 3 I Ligës B, kryesohet me pikë të plota nga Austria. Në ndeshjen e radhës, “Dardanët” do të luajnë sërish në transfertë kundër Izraelit më 1 tetor./abcnews.al


