Ka njerëz që largohen nga Shqipëria për të ndërtuar një jetë të re, por pasionet e tyre i marrin me vete, kudo që shkojnë. Për Ardi Prendin, mirditorin që prej tre vitesh jeton në Gjermani, emigracioni nuk e ka shuar dëshirën për artin. Përkundrazi, ai ka realizuar një krijim gjigant, që sot mund të jetë edhe një nga sfidat më të veçanta të jetës së tij.
Një statujë pesë metra e lartë e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, e punuar me duart e tij, qëndron në oborrin e shtëpisë në Laç. Katër muaj punë, shumë përkushtim dhe një ide që nisi të merrte formë pa e ditur nëse do të përfundonte ndonjëherë në një shesh publik apo do të mbetej në oborrin e krijuesit të saj.
Por historia e Ardi Prendit nuk është vetëm historia e një statuje gjigante. Është edhe historia e një artisti që ka studiuar në Akademinë e Arteve, ka punuar për 15 vite si DJ në Shqipëri dhe që, pasi emigroi në Gjermani, u gjend duke bërë një punë krejt tjetër: atë të postierit.
Ai thotë se në Shqipëri nuk gjeti motivimin dhe mundësitë e duhura për të vazhduar rrugën artistike. Që në gjimnaz merrte pjesë në konkurse arti, ku prezantonte edhe skulpturat e tij. Ishte i bindur për krijimtarinë që sillte, por shpërblimet, siç kujton ai, shpesh përfundonin në certifikata dhe copa letre.
Vitet kaluan, profesioni ndryshoi, por dëshira për të krijuar nuk u zhduk. Dhe kështu, në Gjermani, Ardi vendosi të realizonte një vepër në përmasa të mëdha, duke sjellë në oborrin e tij figurën e heroit kombëtar shqiptar.
Vetë ai nuk pretendon se është një skulptor i përsosur. Përkundrazi, pranon se statuja mund të mos i ngjajë plotësisht Skënderbeut, por thekson se synimi i tij ishte të krijonte diçka madhështore në përmasa dhe të provonte se pasioni nuk njeh kufij. Tashmë, vepra ka tërhequr interesin e disa personave që kanë shprehur dëshirën për ta blerë. Ardi e ka vendosur çmimin: 10 mijë euro. Vetëm ndërtimi i saj, sipas tij, i ka kushtuar rreth 5 mijë euro.
Megjithatë, ai nuk duket i gatshëm të heqë dorë nga krijimi i tij me çdo kusht. Nëse nuk merr vlerën që mendon se meriton, statuja do të vazhdojë të qëndrojë në oborrin e shtëpisë së tij në Laç.
Dhe kjo mund të jetë vetëm fillimi. Ardi thotë se në mendje ka shumë ide të mëdha dhe se dëshiron të vazhdojë të ndërtojë statuja monumentale./abcnews.al


