Gina kallëzon kryeprokuroren Marku për shpërdorim detyre

schedule13:01 - 10 Janar, 2018

schedule 13:01 - 10 Janar, 2018

Pas urdhrit që e largoi nga drejtimi i Prokurorisë së Elbasanit, prokurori Dritan Gina paraqiti një kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj kryrprokurores së përkohshme, Arta Marku. Në kallëzim ai kërkon pezullimin e këtij urdhri, duke paraqitur argumentat ligjore që sipas tij e bëjnë ata të pavlefshëm.

Është i vendosur të mos pranojë urdhrin e kryeprokurores së përkohshme Arta Marku dhe të ndjekë gjithë hapat ligjore për pezullimin e tij.

Dritan Gina është i bindur se shefja e përkohshme e organit qendror të akuzës ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës ndaj ka depozituar një kallëzim penal ndaj saj në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Pas daljes nga prokuroria ku paraqiti kallëzimin e tij, prokurori Gina tha se ai nuk do të mbajë me kokëfortesi postin, por do të luftojë në rrugë ligjore.

Sipas kallëzimit penal të prokurorit Dritan Gina,  Urdhri i Prokurores së Përgjithshme  Arta Marku i datës 9 janar për ndërprerjen e komandimit të tij është një akt administrativ absolutisht i pavlefshëm, sipas parashikimeve të neneve 115  germa “a”, 116  dhe 117 të Kodit të Procedurës Administrative. Prokurori Gina përmend në kallzim se Urdhri në fjalë është një akt administrativ i nxjerrë nga një organ administrativ i paidentifikuar. Së dyti ai është një akt administrativ i nxjerrë nga një organ administrativ në kapërcim të kompetencave të tij ligjore dhe së treti është i paarsyetuar. Bazuar në këto argumenta ligjore, sipas prokurorit Gina, akti administrativ i kryeprokurores Arta Marku është absolutisht i pavlefshëm. Po ashtu në kallëzim argumentohet se prokurorja e përgjithshme e përkohshme nuk ka asnjë të drejtë ligjore për të vendosur në lidhje me riorganizimin Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, të ndryshojë Drejtuesit e Prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm që funksionojnë pranë Gjykatave të Rretheve Gjyqësore dhe as të komandojë apo delegojë përkohësisht Drejtues të ri në këto prokurori. Në kallëzim thuhet se Dritan Gina nuk është Drejtues i komanduar, por Prokuror i caktuar për të kryer detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Elbasan, deri në emërimin e drejtuesit të kësaj Prokurorie pas krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Po ashtu bashkëngjitur me kallëzimin penal, prokurori Gina ka paraqitur dhe një padi civile përmes së cilës kërkon detyrimin e kryeprokurores Marku për të paguar 100 mijë lekë për dëmin e shkaktuar atij, si pasojë e cënimit të personalitetit dhe reputacionit. Dritan Gina në padinë e depozituar te Krimet e Rënda kërkon pezullimin nga detyra të Kryeprokurores Arta Marku dhe urdhërimin e kryerjes së ekspertizës psikiatriko-ligjore. Në kallëzim, Gina vlerëson se duhen ndërmarrë këto masa për të penguar vijimin e veprimtarisë antiligjore të kryeprokurores Arta Marku./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!