ELBASAN- Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan ka vendosur dhe ekzekutuar masa sigurie ndaj gjashtë funksionarëve shtetërorë, të dyshuar për abuzime me fondet publike dhe skemën e ndihmës ekonomike.
Masat e caktuara janë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullim nga ushtrimi i një detyre apo shërbimi publik”.
Të dyshuarit, sipas njoftimit të Prokurorisë, mbajnë ose kanë mbajtur detyra si administrator shoqëror, postier, drejtor drejtorie në bashki dhe specialistë në drejtorinë rajonale.
Ata akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.
Njoftimi i plotë;
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, u caktuan dhe u ekzekutuan masat e sigurimit ”Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” të parashikuar nga nenet 234, 242 të KPP, ndaj gjashtë funksionarëve të shtetit, A.Ç, N.B, A.Ç, G.S, L.K, M.K, përkatësisht me detyrë Administrator Shoqëror, Postier, Drejtor Drejtorie në Bashki, specialistë në Drejtorinë Rajonale, të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, ”Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimi i dokumentave”, “Hyrje e paautorizuar kompjuterike” e parashikuar nga neni 248 dhe 25, 135, 186/2 , 192/b i Kodit Penal.
Procedimi penal ndaj këtyre shtetasve do të dërgohet për gjykim pasi i është njoftuar akuza dhe kanë marrë statusin e të pandehurit.
Hetimet mbi procedimin penal nr.395, datë 24.04.2025, nisën mbi bazën e kallëzimit të një qytetari i cili pretendonte se abuzohej me skemën e ndihmës ekonomike, duke marrë shkas nga rasti i familjarëve të tij.
Në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria e Elbasanit në bashkëpunim më Seksionin për hetimin e krimit ekonomik/financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan kryen një hetim të plotë dhe të gjithanshëm, duke nxjerrë në pah abuzimet me fondet shtetërore sa i përket skemës së ndihmës ekonomike, në nivele nga Njësia administriative-Qytet-Qarku Elbasan. Hetimi është shtrirë vetëm në një Njësi Administrative të qarkut Elbasan, për periudhën Tetor 2024-Korrik 2025 dhe ka rezultuar një dëm ekonomik përafërsisht në vlerën 12 500 000 (dymbëshjetë milion e pesëqind mijë) lekë të reja. Kjo ka ardhur si pasojë e përfshirje në skemën e ndihmës ekonomike pa të drejtë të familjeve përfituese që nuk plotësonin kriteret ligjore për përfitim. Pas fillimit të hetimit penal, numri i familjeve përfituese është ulur, konkretisht nga 320 familje përfituese në 110 familje.
Në kuadër të këtij procedimi penal u arrit të provohet se funksionarët shtetërorë në bashkëpunim midis tyre, kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin duke mos administruar dokumentacionin e kërkuar, duke rritur fiktivisht numrin e familjeve përfituese, duke përvetësuar pa të drejtë shuma monetare si dhe duke mos ushtruar një kontroll efekt në mënyrë që të ndalohej kjo veprimtari e paligjshme.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, shpreh angazhimin për hetimin me përparësi të grupveprave që lidhen me krimet financiare në sferën publike dhe private si dhe i bën thirje shtetasve që të denoncojnë çdo lloj akti apo abuzim me detyrën të çdo funksionari publik me qëllim vendosjen e tyre para përgjegjësisë penale.



