Goditet sërish grupi kriminal i Bajrave të Shkodrës, pasi gjykata e krimeve të rënda ka caktuar masa të reja sigurie për 10 anëtarë të tij. 5 prej tyre janë tashmë në burg për vepra të tjera penale.
Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar 10 masa të reja sigurie në ngarkim të antarëve të grupit të Bajrave në Shkodër, 9 prej te cilave janë ekzekutuar, ndërsa një person është shpallur në kërkim. Masa arrest ne burg është caktuar nga Krimet e rënda për Behar Brajoviq (Bajri), Safet Rustemi, Ilir Rustemi, Asmer Bilali, Ismet Idrizi, Sirjan Alija dhe Jorida Murati. Ndërsa masa arrest në shtëpi është caktuar për Senad Halluni, Florine Hoxha dhe Mira Nikaj. Policia njofton zyrtarisht se për këta 10 persona janë dokumentuar vepra të tjera penale. Nga hetimet e kryera, dyshohet se në bashkëpunimin me njëri-tjetrin ata kanë përfituar shuma parash nëpërmjet kanosjes dhe shtrëngimit ndaj dy personave.
Sipas uniformave blu, dyshohet se drejtuesi i grupit, Behar Bajri ushtronte ndikim të paligjshëm në Spitalin Rajonal Shkodër, me qëllim që shtetasja Jorida Murati të ishte e punësuar formalisht si infermiere në këtë spital, pa punuar realisht aty.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë operacionit për ekzekutimin e masave të sigurisë, Policia ka ushtruar kontroll në banesën e Jorida Muratit dhe në 5 banesa të tjera. Gjatë kontrollit në banesën e 32 vjeçares, Policia gjeti dhe sekuestroi 9000 euro, të cilat dyshohet t’i ketë përfituar nga ushtrimi i ndikimit të paligjshëm. 5 nga anëtarët e këtij grupi kriminal, për të cilët është vendosur masë e re sigurie, janë ndaluar më parë dhe ndodhen në qeli. Akuzat ndaj tyre janë nga prodhim e shitje e lëndëve narkotike tek shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë. Bajrat e Shkodrës u goditën vitin e shkuar nëpërmjet operacionit të koduar “Oaz”, ku u arrestuan 11 pjesëtarë të këtij grupi. /abcnews.al