Skënderbeu humb si zakonisht miqësoret në fazën përgatitore

schedule19:08 - 9 Janar, 2018

schedule 19:08 - 9 Janar, 2018

Skënderbeu nuk e ndryshoi traditën duke vazhduar humbjet në fazat përgatitore. Kryesuesja e Superligës u mposht 0-3 nga Bursaspori, por pati lajme të mira sepse gjeti një sulmues që kërkonte.

Miqësoret zakonisht i humb.
Nuk dihet nëse nuk i ecën, apo vetë Skënderbeu ka më shumë qejf të humbasë në ndeshjet përgatitore, por zakonisht i ndodh kështu, siç ngjau edhe me Bursasporin.
Pas një pjese të parë të barabartë, ku shqiptarët patën edhe ata rastet e tyre, pas pushimit gjithçka ndryshoi dhe u pësuan 3 gola.
Rezultati 3-0 u rrumbullakos nga minuta e 89-të deri në të 93-ën, por ashtu siç nuk shqetësohej shumë ish-trajneri Mirel Josa, po ashtu nuk duhet të jetë tronditur edhe aq Ilir Daja.
Ai e shfrytëzoi takimin për të bërë eksperimente dhe për të provuar sa më shumë lojtarë ndaj skuadrës së Superligës së Turqisë.
Një ndryshim që në nisje, me Teqjen në portë në vend të Shehit.

Në pjesën e dytë Daja aktivizoi edhe 10 lojtarë të tjerë, ndër të cilët një titullar si Radash, një portier të ri si Dajsinanin, por edhe Alitin, Sahitin, Ditën e të tjerë.
Golat për turqit u shënuan nga Jusuf në minutën e 48-të, Bakish në 89’, dhe Kembo në 93’ me penallti.
Gjithsesi, ka lajme të mira përsa i përket përforcimeve.

Skënderbeu arriti marrëveshje me sulmuesin e Apolonisë, Blerim Krasniqi, për të cilin besohet se u paguan 15 000 euro.
Kontrata e kavajasit përfundonte në verë, ndërsa 21-vjeçari shënoi 11 gola në 11 ndeshje për Apoloninë këtë edicion./abcnews.al