Dy agjencitë kryesore të OKB-së, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe UNICEF, bënë thirrje sot për një armëpushim humanitar 7-ditor në luftimet në Rripin e Gazës, në mënyrë që më shumë se 640,000 fëmijë nën moshën 10 vjeç të mund të vaksinohen në javët e ardhshme kundër poliomielitit.
“Dy raunde të fushatave të vaksinimit ndaj poliomielitit duhet të fillojnë në fund të gushtit dhe të vazhdojnë deri në shtator 2024 në të gjithë Rripin e Gazës për të parandaluar përhapjen e variantit që qarkullon aktualisht”, tha OBSH dhe UNICEF.
Dy agjencitë e OKB-së “u bëjnë thirrje të gjitha palëve ndërluftuese të zbatojnë armëpushimet humanitare në Rripin e Gazës për shtatë ditë për të lejuar dy fushatat e vaksinimit të zhvillohen”.
“Pa këto armëpushim humanitar, fushata nuk mund të kryhet me sukses,” paralajmëruan ata.
Çdo armëpushim duhet të zgjasë 7 ditë, tha për AFP zëdhënësja e OBSH-së, Margaret Harris.
Virusi i poliomielitit u zbulua në korrik në mostrat e ujërave të zeza të mbledhura në fund të qershorit në Khan Younis dhe Deir el-Balah./abcnews.al