Policia e Kosovës arreston politikanin serb: Refuzoi urdhrat dhe pengoi punëtorët e komunës së Mitrovicës së Veriut

schedule11:38 - 8 Gusht, 2024

schedule 11:38 - 8 Gusht, 2024

Alleksandar Arsenijeviç nga partia Demokracia Serbe është arrestuar në veri të Kosovës, konfirmoi zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Sipas Elshanit, Arsenijeviç ka penguar punëtorët e komunës së Mitrovicës së Veriut dhe ka refuzuar urdhrat policore.

Ai është arrestuar në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër, ku punëtorët e komunës ishin duke lyer. Arrestimi i Arsenijeviçit u bë në ditën kur në Mitrovicë të Veriut mbahet një debat për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Në debat do të marrin pjesë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, të komunës së Mitrovicës së Veriut, teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në të për “shprehur shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”.

Qeveria e Kurtit, në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafik.

Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment./REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!