Porti i ri në Durrës/ Rama: Largimi nga qendra e qytetit, kapitull i ri në historinë e ekonomisë dhe sigurisë kombëtare

schedule10:52 - 30 Korrik, 2024

schedule 10:52 - 30 Korrik, 2024

Kryeministri Edi Rama e cilëson një kapitull të ri në historinë e ekonomisë dhe sigurisë kombëtare, zhvendosjen e portit të Durrësit, nga qendra e qytetit, në Porto Romano.

Gjatë fjalës së tij në aktivitetin e mbajtur në Durrës, për hapjen e garës për ndërtimin e portit të ri, Rama deklaroi se porti në Durrës, ishte plagë mjedisore për qytetin.

“Moment tjetër shumë kuptimplotë, sepse kur ne themi që do të bëjmë këtë apo atë, projektet nuk nisin në momentet kur ato publikohen si sot, në formën e thirrjes për shprehje interesi. Nisin kur fillon i gjithë procesi në tryezë i mbledhjes së të dhënave, i krijimit të grupit të ekspertëve, i projektimit, i oponencës, është një histori gjithmonë shumë më e gjatë sesa dëshira dhe limitet e durimit, pasi, qytetarët dëgjojnë dhe presin dhe durimi, e para nuk është ndër virtytet e shqiptarëve, e dyta, në kohët tona është nga mallrat më të rrallë. Shqiptarët kanë pritur shumë, shekuj që të bëjnë zgjedhjet e tyre, gjithmonë kanë jetuar në zgjedha, si rezultat i zgjedhjes së të tjerëve për ta.

Për herë të parë, shqiptarët jetojnë me zgjedhjen e  tyre, kanë zgjedhur që ky vend të bëhet pjesë e familjes së bashkuar, të vendeve të lira, demokratike. Nga ai moment te i zgjidhjes, është histori më vete. E shkuara është barrë e madhe, njësoj si porti i Durrësit në qendër, një port, një plagë mjedisore, një plagë fizike që ka bërë në vazhdimësi, dëm të madh për perspektivën dhe imazhin, por edhe një plagë në aspektin socio-ekonomik. E gjithë ajo rrëmujë, kaos, ka qenë zonë e errët e veprimtarisë kriminale. Largimi i portit nga qendra e qytetit dhe vendosja e këtij këtu, me një tipologji me karakteristika dhe përmasa të reja, është hapja e një kapitulli të ri në historinë e qytetit dhe ekonomisë kombëtare. Ky projekt ka një garanci shumë të madhe, garancinë e një prej kompanive më të shkëlqyer që ka bota, Royal Haskoning. Është një kompani e krijuar në 1881”, theksoi Rama./abcnews.al