“Atentati forcon pozitën e Trump”, gazetari Nura: Sulmi duket i mirëmenduar. Demokratët të bindin Biden për t’u tërhequr

schedule12:28 - 14 Korrik, 2024

schedule 12:28 - 14 Korrik, 2024

Gazetari Artur Nura thotë se atentati ndaj ish presidentit Donald Trump gjatë një tubimi në Pensilvani, mund të jetë i mirëmenduar.

Në një intervistë për ABC News, Nura u shpreh se atentati forcon pozitën e Trump, teksa kjo u vu re në daljen e tij të menjëhershme pas ngjarjes, ku i tha elektoratit se ai është i fortë.

Nura shtoi se demokratët duhet të bindin Joe Biden që të tërhiqet nga gara presidenciale.

“Në botën demokratike, në atë amerikane, nuk është rasti i parë që qëllohet një ish president, kandidat. Rasti të lë të dyshosh, për diçka të mirëmenduar. Deklaratat janë, deri tani, që gjithçka është realizuar nga personi në fjalë. Edhe vrasja e atentatorit në këtë rast, i mbyll shtigjet për të mësuar të vërtetën. Mendoj që rasti është shumë kompleks, jo vetëm në SHBA, por për të gjithë botën demokratike perëndimore. Një pjesë e aleatëve, nuk do dëshironin të ishte Trump i zgjedhuri, por demokracia nuk dëgjon kalkulimet politike, por demokracia dëgjon vullnetin popullor të njerëzve. Të dyja palët kanë mbajtur qëndrim racional. Stafi i Biden ka komunikuar me stafin e Trump. Unë besoj se e bën më të fortë, fakti që iu bë një atentat nga një 20-vjeçar, që mund ta ketë marrë iniciativën edhe vetë, edhe dalja e tij e menjëhershme, është për t’i thënë elektoratit që unë jam i fortë. Kjo do ishte shtysë për demokratët për ta bindur kandidatin për president dhe presidentin Joe Biden. Ai është në një moshë, edhe Trump nuk është i ri, por nuk ka probleme të këtij lloji, padyshim, duhet marrë parasysh. Deri tani, parimisht i kanë të humbura”, theksoi ai./abcnews.al