TIRANË– Socialistët do të votojnë të enjten në Kuvend hartën e re territoriale të propozuar nga mazhoranca. Drafti mori votat e socialistëve në Komisionin Parlamentar të Ligjeve.
Qëndrimi i socialistëve është se ndarja e re e bashkive është efektive dhe se shkrirja e disa prej tyre nuk cenon cilësinë e shërbimeve për qytetarët.
Kreu i grupit të PS, Taulant Balla tha se miniprotestat janë me punonjës nga bashkitë që shkrihen, ndërkohë që injoroi kërkesën e kryebashkiakut të burgosur Veliaj që kërkoi pezullim të votimit.
I ftuar në emisionin “Ora e Njëmbëdhjetë”, gazetari Artur Nura e cilësoi të nevojshme reformën territoriale, duke theksuar se bashkitë e vogla nuk kanë qenë shumë të dobishme. Ai theksoi se shërbimi i qytetarëve nuk do të mungojë, madje do jetë më efektiv.
Qëndrimin e opozitës Nura e cilësoi të gabuar, ndërsa shtoi se PD gjithmonë kujtohet me vonesë në lidhje me reformat e mëdha.
“Shërbimet për qytetaret do të jenë. Ka bashki të vogla të padobishme. Është shumë e nevojshme, por mund të jetë dhe interes elektorale, sepse në politikë është krejt normale. Qytetarëve nuk do t’u mungojnë shërbimet, madje do t’i kenë më efektive dhe eficiente. Opozita kujtohet me vonesë për reformat. Ajo duhet të kujtohet për ndryshimet ligjore ën momentin e duhur. Me shumë gjasa ditën enjte do ta kemi reformën të provuar në Kuvend”, tha ai./abcnews.al


