Partia Socialiste mblodhi Asamblenë e saj, nga ku Kryeministri Rama ftoi edhe njëherë kryedemokratin Basha për të bashkëpunuar me qëllim hapjen e negociatave. Në këmbim, Rama premtoi se triumfin do ta ndante me opozitën. Sipas Kryeministrit, frika e opozitës nga reforma në drejtësi po kërcënon negociatat, ndërkohë që kjo frikë sipas tij, prishi edhe aleancën PS-LSI.
Në kampin e armiqve të reformës në drejtësi, përveç PD-së, Edi Rama shtoi edhe LSI-në. Për herë të parë, Kryeministri pranoi se ishte pikërisht kjo reformë që u bë shkas për prishjen e aleancës brenda të majtës.
Nga Asambleja e PS-së, Kryeministri tregoi si e lexon ai riafrimin e ish-aleatit qeveritar me demokratët.
Sipas kryesocialistit, frika e opozitës nga reforma në drejtësi po dëmton hapjen e negociatave me Brukselin. Qeveria dhe opozita kanë role të ndara në demokraci, pranoi Rama, por i rikujtoi kryedemokratit Basha se kanë edhe një detyrim të përbashkët.
Duke rikthyer vëmendjen mes socialistëve, kryebashkiakëve të PS-së që kërkojnë të rikandidojnë në 2019-ën, u bëri të qartë se nuk do të pranojë lojë me dy porta.
Njoftoi se së shpejti do të bëhen publikë edhe drejtorët e rinj të burgjeve të zgjedhur përmes konkursit, me focus te ushtarakët, njësoj siç bëri për Prefektët.
Ndryshe nga sa ishte përfolur sekretarët e PS-së nuk ndryshuan, por u shtua sekretari për Çështjet Zgjedhore, Bledi Çuçi, si dhe sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare, Teuta Voda. Asambleja zgjodhi gjithashtu si anëtar të Kryesisë, Gramoz Ruçin, pas dorëheqjes së tij si sekretar i Përgjithshëm.