Rama: Nxitja për dhunë, edhe në rrjetet sociale. Kjo është një vepër e re penale, ndëshkohet kush thërret publikisht, edhe në rrjetet sociale, për dhunë, plaçkitje ose shkatërrim gjatë një tubimi, kur thirrja krijon rrezik real dhe të afërt.
Dënim më i rëndë kur thirrja u drejtohet fëmijëve, ose kur pas saj ndodh dhuna.
Thirrja për protestë, kritika politike dhe gazetaria nuk ndëshkohen kurrësesi
Mbrojtja e çdo qytetari nga kanosja dhe përndjekja, edhe online. Kanosja online ose publike dënohet si një vepër më e gjerë. Sot Kodi Penal e dënon kanosjen online vetëm kur ka motive etnike, racore ose fetare.
Përndjekja online dhe “e drejta për normalitet” çojnë në krijimin e veprës për mesazhe kërcënuese të vazhdueshme dhe monitorimin e vendndodhjes së dikujt, si dhe ndjekja ose filmimi përndjekës i një personi pranë shtëpisë, në punë ose në jetën e përditshme, kur e detyrojnë atë të ndryshojë mënyrën e jetesës.
Publikimi i adresës për ta vënë dikë në rrezik ndëshkohet gjithashtu. Kush publikon të dhëna që nxisin ose lejojnë gjetjen e një personi ose të familjes së tij për ta ekspozuar ndaj sulmeve bëhet subjekt i ligjit.
Videot e falsifikuara me inteligjencë artificiale dhe shpërndarja e tyre pa pëlqim me foto ose zë të falsifikuar të një personi, kur mashtrojnë publikun dhe i shkaktojnë dëm personit bëhet vepër penale.
Satira dhe parodia e shënuar si e tillë nuk ndëshkohen.
Mbrojtja e deputetëve, funksionarëve e personave publikë. Kanosja ndaj funksionarëve dhe familjeve të tyre. Kanosja ndaj personave publik dhe familjeve të tyre, janë vepra penale. Ata mbrohen nga kanosja edhe online, duke përcaktuar një dënim më të ashpër.
Shantazhi dhe presioni për të ndikuar në vendime, çon në ndëshkimin e kush kanos, dhunon ose shantazhon personalisht një deputet për ta detyruar të votojë në një mënyrë apo një funksionar publik për të marrë ose për të mos marrë një vendim apo një person publik për të bërë apo më bërë diçka.
Kritika, protesta, peticionet nuk hyjnë këtu dhe nuk ndëshkohen.
Mbrojtja e fëmijëve. Rrezikimi i fëmijës nga pakujdesia, përgjigjet prindi, kujdestari, mësuesi ose edukatorja që e lë fëmijën nën 14 vjeç pa mbikëqyrje në rrezik real për jetën ose shëndetin. Dënimi shkallëzohet sipas pasojës, deri në 10 vjet kur fëmija humb jetën, larg qoftë. Gjykata mund ta zbusë dënimin kur prindi ka humbur vetë fëmijën.


