Shtetet e Bashkuara, të zhgënjyera nga kritikat e Izraelit për dërgesat e armëve

schedule07:15 - 21 Qershor, 2024

schedule 07:15 - 21 Qershor, 2024

Shtëpia e Bardhë shprehu pakënaqësinë të enjten me kritikat e bëra rishtazi nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu për dërgesat e armëve amerikane, duke i quajtur deklaratat e tij “irrituese”.

“Këto komente ishin thellësisht zhgënjyese dhe sigurisht irrituese për ne, duke patur parasysh nivelin e mbështetjes që kemi dhënë dhe do të vazhdojmë të japim”, u tha gazetarëve të enjten zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.

Në një deklaratë me video të publikuar të martën, kryeministri izraelit Netanyahu tha se megjithëse ishte mirënjohës për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Izraelin gjatë luftës në vazhdim me Hamasin, “është e paimagjinueshme që gjatë muajve të fundit, administrata nuk i ka dhënë armatime dhe municione Izraelit”.

Shtetet e Bashkuara thanë sidoqoftë se bëhet fjalë vetëm për një dërgesë, me predha 900 dhe 200 kilogramëshe, që u pezullua në muajin maj, për shkak të shqetësimeve se mund të përdoreshin në zonat me popullsi të dendur në Gazë.

Ndërkohë, një ekip prej 30 ekspertësh të Kombeve të Bashkuara paralajmëruan të enjten se prodhuesit e armëve dhe municioneve që vazhdojnë të dërgojnë armë në Izrael mund të jenë bashkëpunëtorë në abuzimet e të drejtave të njeriut dhe shkeljet e ligjit ndërkombëtar.

Zoti Kirby u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara ia kanë komunikuar pakënaqësinë e tyre drejtpërdrejt Izraelit.

“Mendoj se ua kemi bërë shumë të qartë homologëve tanë izraelitë, nëpërmjet mjeteve të ndryshme, zhgënjimin tonë të thellë për deklaratat e shprehura në atë video dhe shqetësimet tona për saktësinë e deklaratave të bëra”, tha zoti Kirby.

“Ideja se patëm ndalur në një lloj mënyre së ndihmuari Izraelin për nevojat e tyre të mbrojtjes, nuk është absolutisht e saktë”, shtoi ai.

Komentet e Shtëpisë së Bardhë vijnë pasi këshilltari i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan dhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pritej të takoheshin me dy ndihmësit kryesorë të zotit Netanyahu për të diskutuar luftën që vazhdon në Gazë.

Lufta filloi pasi Hamasi, një grup i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Bashkimi Evropian, filloi një sulm në jug të Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1200 persona dhe duke marrë peng 250 të tjerë, sipas të dhënave izraelite.

Përgjigja ushtarake e Izraelit në Gazë ka shkatërruar një pjesë të madhe të territorit, ka vrarë mbi 37,400 persona dhe ka plagosur mbi 85,600 të tjerë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, të drejtuar nga Hamasi dhe e cila nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve.

Gjatë natës, forcat izraelite sulmuan zona në qendër të Gazës, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë, thanë mjekët./VOA