Euro 2024/ Në fushë zbret Cristiano Ronaldo, Portugalia e Truqia mbyllin xhiron e parë të fazës së grupeve

schedule11:16 - 18 Qershor, 2024

schedule 11:16 - 18 Qershor, 2024

Deri më tani mund të konsiderohet si një event “magjik”. Vetëm emocione, por edhe disa rezultate surprizë është ajo çka na ka dhuruar Kampionati Evropian i futbollit në Gjermani dhe spektakli pritet të vijojë edhe këtë të martë, me dy sfida spektakolare, ku në fushë do të zbresë edhe një tjetër prej favoritëve, të trofeut, për të mbyllur xhiron e parë të fazës së grupeve.

Kështu, në orën 18:00, Kombëtarja e Turqisë do të nisë rrugëtimin e saj evropian, ku në “Signal Iduna Park”, të Dortmundit do të përballen me Gjeorgjinë, në sfidën e parë të Grupit F, me “yjet”, Arda Guler, Hakan Calhanoglu e Kenan Yildiz, që do të kërkojnë një nisje sa më të mbarë të këtij edicioni, pavarësisht se skuadra përballë di si të rezistojë, por edhe të surprizojë kundërsharët, me kundërsulmet e befasishme të Kvaratskhelia e Mikautadze.

Në fund të ditës vjen edhe sfida më spektakolare e kësaj të marte, me “Luzitanët” e Portugalisë që do të nisin rrugëtimin e tyre, në këtë Kampionat Evropian, teksa në “Red Bull Arena”, të Lajpcigut do të ndeshen me një kundërshtar jo dhe aq të lehtë si Republika Çeke, teksa pritet që të tregojnë forcën e tyre që në këtë sfidë, ashtu siç edhe Gjermania me Spanjën, në ndeshjet e para. /i.m /abcnews.al 

Ndeshjet e së martës:

Grupi F

Ora 18:00, “Signal Iduna Park”

Turqi – Gjeorgji

Ora 21:00, “Red Bull Arena”

Portugali – Republika Çeke