Moska ka reaguar në lidhje me marrëveshjen e sigurisë të nënshkruar një ditë më parë midis SHBA-së dhe Ukrainës, duke e përshkruar atë si një “letër ngjitëse” pa vlerë të vërtetë detyruese.
“Fakti është se (këto marrëveshje) nuk janë gjë tjetër veçse copa letre (…) Këto marrëveshje nuk janë asgjë, ato nuk kanë asnjë vlerë juridike,” tha zëdhënësja ruse Maria Zakharova, sipas agjencive ruse të lajmeve.
Ukraina nënshkroi marrëveshje sigurie me Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë të enjten, pasi ka bërë të njëjtën gjë me disa vende të tjera perëndimore në muajt e fundit, duke përfshirë Francën dhe Britaninë.
Këto dokumente janë në thelb premtime nga këto vende se do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje ushtarake dhe financiare në afat të gjatë në mënyrë që Kievi të kundërshtojë agresionin rus.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vlerësoi dje se marrëveshja dhjetëvjeçare e nënshkruar me SHBA-në “hap rrugën për anëtarësimin e Ukrainës në NATO”.
Ukraina ka nënshkruar 15 marrëveshje dypalëshe sigurie me vende të tjera që nga viti 2022 kur filloi pushtimi rus në territorin e saj. Marrëveshja SHBA-Ukrainë nuk kërkon miratimin e Kongresit dhe mund të përmbyset nga një administratë e mundshme Trump, nëse fiton pas zgjedhjeve të nëntorit në SHBA./abcnews.al