Pavarësisht votimit në Parlament, 3 gjyqtaret e reja të kushtetueses nuk fillojnë dot punë pa bërë betimin tek Presidenti Meta siç e parashikon Kushtetuta. Ky prodhon një ngërç të ri në marrëdhëniet e tensionuara mes palëve, ndërsa edhe me 5 anëtarë, Gjykata Kushtetuese nuk është tërësisht funksionale.
Gjykata Kushtetuese ka tashmë 5 anëtarë. Vitore Tushën, e vetmja që i mbijetoi vettingut, Besnik Muçin të dekretuar nga Presidenti, Arta Vorpsin të emëruar automatikisht përmes Fletores Zyrtare pas mos zgjedhjes brenda 30 ditëve nga Presidenti, si dhe Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin, të zgjedhur së fundmi nga Kuvendi.
Por, tre të fundit, nuk mund të vijojnë punën pa bërë më herët betimin përpara Presidentit, siç neni 129 i kushtetutës përcakton.
Meta e quajti kontrabandë botimin në Fletoren zyrtare të emrit të Arta Vorpsit, ndërsa nuk bie dakord me radhën e votimeve nga Kuvendi.
Socialistët e shqyrtuan daljen nga kjo situatë në Këshillin e Legjislacionit, dhe propozuan alternativën, që, nëse presidenti nuk organizon ceremoninë e betimit, atëherë 3 gjyqtaret të betohen në Kuvend.
Por edhe nëse gjithçka shkon mirë, me 5 anëtarë, Gjykata Kushtetuese nuk është tërësisht funksionale. Marrjen e vendimeve kjo gjykatë e bën me 6 anëtarë, dhe me 5 gjyqtarë ajo mund të bëjë vetëm verifikime paraprake, për t’i kaluar apo jo çështjet në seancë.
Ligji për teatrin, apo vlefshmëria e zgjedhjeve të 30 qershorit janë çështjet e nxehta që presin shqyrtim, ndërsa “patatja e nxehtë”, shkarkimi i presidentit do të mbërrije brenda vitit në këtë gjykatë./abcnews.al