Inspekton qendrën pritëse për emigrantët/ Mediat e huaja, jehonë vizitës së Melonit në Shqipëri

schedule10:57 - 5 Qershor, 2024

schedule 10:57 - 5 Qershor, 2024

Sot në një vizitë zyrtare kryeministrja italiane Giorgia Meloni do të inspektojë qendrën pritëse për emigrantët e paligjshëm në Gjadër. Meloni do të pritet nga kryeministri Edi Rama dhe të dy do kenë një konferencë të përbashkët.

Ndërkohë, vizita e kryeministres italiane Giorgia Meloni në Shqipëri ka tërhequr vëmendjen e mediave italiane por edhe ndërkombëtare. Një vizitë falënderimi e ka cilësuar Associated press, i cili përmes një artikulli të gjatë thekson mirënjohjen e Italisë për mbështetjen që i ka ofruar Shqipëria për të përballur krizën e emigracionit.

“Giorgia Meloni udhëton në Shqipëri për të falënderuar vendin për gatishmërinë e tij për të pritur mijëra azilkërkues dhe për të vizituar vendet e dy qendrave të paraburgimit të emigrantëve, një vizitë që vjen vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve lokale dhe Parlamentit Europian, ku emigrimi është një çështje kryesore e fushatës”, thuhet në artikullin e AP.

Udhëtimi i Melonit në Gjadër të Shqipërisë është edhe në faqen kryesore të medias amerikane “ABC NEWS”.

“Shqipëria nuk është anëtare e Bashkimit Europian dhe ideja e dërgimit të azilkërkuesve jashtë bllokut është e diskutueshme. Marrëveshja u miratua nga presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen si një shembull i “të menduarit jashtë kutisë”, thuhet në artikull.

Nga ana tjetër, Reuters ka vënë në dukje progresin që ka bërë Shqipëria në ndërtimin e kampeve për emigrantët.

“Punëtorët në Shqipëri po punojnë shumë për të transformuar një ish-bazë ajrore ushtarake në një qendër emigrantësh të drejtuar nga italianët përpara vizitës e kryeministres italiane Giorgia Meloni”.

Vizita e Melonit në Shqipëri ka qenë kryefjala edhe në mediat italiane. TgCom, Rai dhe Corriera Della Sera janë disa prej mediave me të mëdha që kanë nënvizuar rëndësinë e vizitës së Melonit në Gjadër.

/abcnews.al