Safet Osja drejtoi dje Vllazninë, që barazoi në transfertë me Tiranën. Pas ndeshjes ai foli për mediat dhe theksoi se kuqeblutë e meritonin të fitonin. Mendimin e tij Osja edhe e arsyeton me rastet për gol që kishte skuadra e tij, që në fakt edhe mund të dilte e mposhtur. Në fund Malota u bë shpëtimtar duke larguar një top në vijën fatale.
“Të kënaqur jemi, pasi kishim ardhur edhe për barazim. Gjithsesi, si shkoi rrjedha e lojës nuk jemi të kënaqur, pasi e meritonim të fitonim. Ishte ndeshje e hapur, por mendoj se kishim më shumë raste se Tirana. Presingun e bëmë ne dhe jo ata. Futbolli i pranon të gjitha, pëson ose edhe shënon e fiton”, tha Osja për ABC Neës.
Më tej ai theksoi se skuadra e tij nuk e ka ndjerë mungesën e një sulmuesi me Tiranën dhe thur elozhe për brazilianin e sulmit: “Besoj se, të paktën ky është mendimi im, nuk u ndje ndaj Tiranës mungesa e një sulmuesi. Lojtari Maranhao ishte në ditën e tij më të mirë”.
Osja më tej bën edhe një bilanc të kampionatit të Vllazninë deri më tani: “Besoj se kemi marrë atë që kemi merituar deri më tani, përjashto ndeshjen e fundit me Bylisin. Kishim mungesa dhe bëmë një nga ndeshjet më të dobëta”.
Në fund ai foli edhe për drejtimin e skuadrës nga stoli dhe zbuloi se gjatë ndeshjes me Tiranën ka komunikuar shpesh me trajnerin Mirsad Jonuz. “Normal ndihesh mirë kur je në pankinë. Ne e kemi trajnerin. Këto dy ndeshje që është i dënuar profesori do të jem unë. Sigurisht me ndihmën e tij. Gjatë 90 minutave ne kemi pasur kontakt përmes telefonit”, përfundoi Osja. /abcnews.al


