Liverpool-Manchester City është kryendeshja e kësaj jave në Premier League. Dueli i së dielës zhvillohet në “Anfield” dhe ekipi i Klopp kryeson me 6 pikë më shumë se “Cityzens”.
Pep Guardiola nuk i ka kursyer elozhet për kampionët e Evropës në konferencën për shtyp. Trajneri spanjoll dëshiron të kalojë presionin tek ekipi kundërshtar, teksa beson se djemtë e tij do të imponojnë futbollin e tyre në stadiumin mitik.
“Jurgen Klopp ka në dispozicion skuadrën më të mirë në botë. Liverpooli i sezonit të kaluar ishte rivali më i fortë me të cilin jam përballur që kur trajnoj. Gjithsesi, do të tentojmë të fitojmë ndeshjen e së dielës dhe do përpiqemi të imponojmë lojën tonë“, thekson trajneri i Manchester City.
Ederson u dëmtua në ndeshjen kundër Atalantës në mesjavë dhe titullar do të zbresë Claudio Bravo. Braziliani është një mungesë e madhe, por Guardiola beson shumë te eksperienca e portierit nga Kili.
“Ederson nuk do të jetë i gatshëm për këtë duel. Claudio Bravo është një djalë i shkëlqyer dhe do të zbresë si titullar. Ai ka fituar shumë dhe zotëron eksperiencën e duhur për një ndeshje të këtij niveli“, përfundon trajneri spanjoll. /abcnews.al