Nënsekretarja e Shtetit për Diplomacinë Publike, Liz Allen do të zhvillojë një tur në disa vende të Ballkanit Perëndimor. Allen do të vizitojë Bosnje dhe Hercegovinën, Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Përmes një deklarate, Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) thotë se qëllimi i vizitës në këto shtete, më 19-20 maj, është thellimi i partneritetet me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për të avancuar qëllimet e përbashkëta të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian.
Në Kosovë Allen do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti për të diskutuar mbështetjen e SHBA-së për rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik dhe partneritetin me Kosovën për të luftuar dezinformimin e huaj dhe ndikimin malinj.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Allen do të vizitojë pjesëtarët e shërbimit amerikan të dislokuar si pjesë e Misionit Paqëruajtës të Forcave Kosovare të NATO-s (KFOR) në Camp Nothing Hill, duke nënvizuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.
Nënsekretarja Allen do të zhvillojë gjithashtu diskutime me studentë të ndryshëm kosovarë të angazhuar në lëndët e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës në Institutin Teknologjik Rochester – Kosovë. Ajo do të udhëtojë në Dresnik për të zbuluar mozaikët e epokës romake që po restaurojnë arkeologët falë mbështetjes nga Fondi i Ambasadorëve të Departamentit të Shtetit për Ruajtjen e Kulturës./abcnews.al