Policia ka ekzekutuar masat e sigurisë të lëshuara nga GJKKO ndaj katër personave, në kuadër të operacionit të koduar “Ndikimi”. Ata dyshohen se kanë kryer në bashkëpunim veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
GJKKO vendosi arrest me burg për 46 vjeçarin Dritan Stoka dhe Agim Osma, 62 vjeç. Në arrest shtëpie është lënë Alqi Hajdini, 47 vjeç, ndërsa në detyrim paraqitjeje Ylli Baruti. Gazetari Ervin Leka raporton se sipas të dhënave paraprake, njëri nga personat e përfshirë kanë ndikuar për legalizime me qëllimin fitimin e votës.
“Sipas të dhënave, Stoka, punonjës në Kadastër, dyshohet se në zgjedhjet e vitit 2021 ka premtuar legalizime në këmbim të votave por nuk janë kryer pas përfundimit të zgjedhjeve. Më pas ka ndodhur dhe një dhunim i të përfshirëve në këtë ngjarje. Në bazë të kësaj, ka nisur hetimi nga SPAK.”, raporton gazetari.
Akuzat:
Dritan Stoka, 46 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”;
Agim Osma, 62 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”;
Alqi Hajdini, 47 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”;
Ylli Baruti, 47 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Detyrim paraqitjeje”, për veprën penale “Prodhimi i armëve luftarake”.