Ishte padyshim një lëvizje e papritur. Mbrëmjen e së enjtes, që sapo lamë pas, “Kuqeblutë” e Vllaznisë shkarkuan teknikun Qatip Osmani dhe paraditen e kësaj të premteje, risollën në krye të pankinës, teknikun kroato-gjerman, Thomas Brdaric, i cili ka qenë më herët në stolin e shkodranëve, nga 10 gushti i vitit 2020 e deri më 14 marsin e vitit 2022.
Menjëherë pas firmosjes së kontratës, Brdaric foli fjalët e para si kreu i ri i pankinës “Kuqeblu”, teksa u shpreh se është shumë i lumtur që është rikthyer sërish te Vllaznia e më tej ka falenderuar tekniku, Qatip Osmani, për punën e shkëlqyer që ka bërë me ekipin, duke i pozicionuar në vendin e dytë të tabelës, menjëherë pas “Rrogozhinasve”, të Egntia.
“Jam shumë i lumtur që jam sërish këtu. Dua të falënderoj trajnerin Qatip Osmani, i cili ka bërë një punë të shkëlqyer duke pozicionuar skuadrën në vendin e dytë. E tillë është jeta. Gjërat ndodhin shumë shpejt. Vendimi për të ardhur këtu ishte plotësisht zemre, për shkak të të kaluarës së bukur që kam me këtë skuadër. Sidoqoftë, në javët e ardhshme nuk kanë rëndësi vetëm momentet e bukura, por më shumti mbërritja në ”Final Four” dhe fitimi i titullit kampion.
Largimi i mëparshëm nga Vllaznia? Të gjithë bëjnë gabime. Unë gaboj. Ndiej keqardhje për disa vendime, për disa jo. Unë nuk shoh mbrapa, kjo është jeta dhe unë jam pozitiv. Kam pasur marrëdhënie të mira me presidentin Xhaferi. Tani është kapitull i ri, i jam mirënjohës që jam këtu përsëri me tifozët, me klubin, me ekipin, që të arrijmë objektiva të mirë në javët e ardhshme”,- u shpreh strategu kroato-gjerman.
Ndeshja e parë për 49-vjeçarin do të jetë menjëherë ndaj Egantias në kampionat, ku pas eliminimit të dhimbshëm nga Kupa, “Kuqeblutë” e Vllaznisë do te kenë shansin për t’u hakmarrë, tashmë me një ndryshim të rëndësishëm në stol, me tekniku Brdaric, i cili i vlerësoi “Rrogozhinasit” për sezonin e shkëlqyer që kanë zhvilluar, por theksoi që mes kryesuesve të kampionatit dhe ekipit shkodran nuk ka diferenca.
“Skuadra ka cilësi. Në fund të duhet edhe fat për të fituar ndeshjet, por edhe besimi që lojtarët duhet të kenë në vete është shumë i rëndësishëm. Duhet të jemi në kondicion të mirë fizik dhe ky është aspekti ku do të fokusohemi në javët në vijim. Egnatia ka bërë një sezon fantastik. Sigurisht do të bëjmë maksimumin për të fituar.
Nuk kemi diferenca, por duhet të punojmë shumë që të shkojmë në atë pozicion. Synoj që t’i jap skuadrës identitet, por në këtë pikë ku ndodhemi tani nuk ka shumë kohë. Duhet të punojmë shumë dhe të fitojmë ndeshjen e ardhshme që të sigurojmë vendin në “Final Four”. E kam parë ndeshjen e fundit me Egnatian në Kupën e Shqipërisë, ishte takim i ekuilibruar, por në sfidën e fundjavës në kampionat duam revansh. U kam thënë lojtarëve që dua të përmirësoj këdo në skuadër dhe nuk duhet të mendohemi shumë, t’i japim ekipit motivim, të punojmë e ndërtojmë strategjinë e duhur për ndeshjen e ardhshme”, theksoi Brdariç.
Ndërkaq, kujtojmë se aventura e parë e Thomas Brdaric me 9-herë kampionët e Shqipërisë zgjati thuajse 1 vit i gjysëm, me teknikun gjerman, që e udhëhoqi ekipin shkodran në 77 ndeshje, ku fitoi 39 ndeshje, barazoi 21 dhe humbi 17, teksa arriti të koleksiononte edhe Kupën e Shqipërisë dhe humbi një titull kampion për shkak të diferencës së golave ndaj Teutës. /i.m /abcnews.al