Shpërndanin kokainë, arrestohen 2 të rinj në Tiranë

schedule12:33 - 6 Nëntor, 2019

schedule 12:33 - 6 Nëntor, 2019

Policia e Tiranës ka arrestuar dy të rinj, pasi janë kapur duke shpërndarë kokainë në doza të vogla në kryeqytet.

Ndërkohë janë sekuestruar  kokainë, shuma parash të përfituara nga shitja e saj dhe 3 aparate celulare. Arrestohen në flagrancë 2 persona.

Blutë njoftojjnë se seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponjat”, në kuadër të kontrolleve për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta në doza, organizoi dhe finalizoi dy operacione.

Në kuadër të operacionit “Farka”, u arrestuan në flagrancë shtetasit F. L., 30 vjeç, banues në Elbasan dhe I. Z., 24 vjeç, banues në Tiranë. Për këta shtetas ishte marrë informacion në rrugë operative se në bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin lëndë narkotike kokainë, kryesisht gjatë mbrëmjes, në zonën pranë liqenit të Farkës.

Gjatë kontrollit të ushtruar në rrugën “Agush Gjergjevica”, këta shtetas janë kapur në flagrancë me 11 gr. lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 37 300 lekë dhe një sasi valute, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me 3 aparate celulare.

Po gjatë orëve të fundit, u zhvillua operacioni “Alliasi”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi S. H., 57 vjeç, banues në Tiranë. Për këtë shtetas, specialistët për Hetimin e Narkotikëve kishin marrë informacion në rrugë operative se ushtronte veprimtari kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike të forta, kryesisht heroine, në zonën e Alliasit, Tiranë.

Në rrugën “Njazi Meka” ky shtetas është kapur në flagrancë nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, me doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë, me peshë 8.4 gr. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, Policia gjeti 2 thika, qese farmaceutike, një peshore elektronike, 3 800 lekë dhe 3 aparate celulare, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Janë sekuestruar në total gjatë kontrolleve të ushtruara: 11 gramë lëndë e dyshuar kokainë, 8.4 gramë lëndë e dyshuar heroinë, 6 aparate celulare, 2 thika, peshore elektronike, 41 100 lekë dhe një sasi valute, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!