SHBA miraton paketën për Ukrainën/ Ndihma prej 61 miliardë dollarësh u votua nga të dyja partitë

schedule20:14 - 20 Prill, 2024

schedule 20:14 - 20 Prill, 2024

Dhoma e Përfaqësuesve Kongresit amerikan miratoi të shtunën me mbështetje të gjerë dypartiake ndihmën ushtarake prej 60.8 miliardë dollarë për Ukrainën.

Demokratët dhe republikanët bashkuan votat për të mbështetur projekt-ligjin, pas një beteje disamujore lidhur me pjesën e ndihmës ushtarake shtesë për Ukrainën ndërsa ajo vazhdon përpjekjet për të zmbrapsur agresionin rus.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi pjesën e ndihmës për Ukrainën prej 61 miliardë dollarësh, me një mbështetje dërrmuese, në një demonstrim të fortë të mbështetjes amerikane.

Fill pas votimit Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë nga presidenti Joe Biden duke i kërkuar Senatit që të miratojë projektligjet e ndihmës sa më shpejt të jetë e mundur.

“Sot, anëtarët e të dy partive në Dhomën e Përfaqësuesve votuan për të çuar përpara interesat tona të sigurisë kombëtare dhe për të dërguar një mesazh të qartë për fuqinë e lidershipit amerikan në skenën botërore. I bëj thirrje Senatit që ta dërgojë shpejt këtë paketë në tryezën time, në mënyrë që unë ta nënshkruaj dhe ne të mund të dërgojmë shpejt armë dhe pajisje në Ukrainë për të përmbushur nevojat e tyre urgjente në fushën e betejës “.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy. “Ligji jetësor i ndihmës së SHBA-së i miratuar sot nga Dhoma e Përfaqësuesve do të pengojë zgjerimin e luftës, do të shpëtojë mijëra e mijëra jetë dhe do të ndihmojë të dy kombet tona të bëhen më të forte” shkroi ai ne rrjetin social X.

Po ashtu në Kongres u miratua edhe ndihma prej 26 miliardë dollarësh për Izraelin.

Përfaqësuesit miratuan gjithashtu një projekt-ligj që ofron ndihmë sigurie për Tajvanin dhe aleatët e tjerë në Indo-Paqësor, si dhe një projekt-ligj që përmban disa propozime të politikës së jashtme, duke përfshirë një kërcënim për ndalimin e aplikacionit të mediave sociale në pronësi kineze, TikTok .

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!